Avokati Visar Rrecaj ka deklaruar për Arberia TV se ministri në detyrë i Financave i qeverisë në detyrë nuk ka as të drejtë e as kompetencë ligjore për të ndërmarrë hapa apo vendime të rëndësishme që ndikojnë në gjithë popullsinë e Kosovës, përfshirë propozimin për rritjen e pagës minimale në 500 euro.
“Ministri në detyrë i Financave të qeverisë në detyrë, realisht nuk ka të drejtë e as kompetencë duke qenë në detyrë të ndërmarrë hapa apo vendime të rëndësishme që afektojnë të gjithë popullësinë e Kosovës, siç është rasti i propozimit për rritje të pagës minimale që prek sektorin publik por edhe privat kryesisht”, ka deklaruar Rrecaj.
Sipas tij, as ministria e as qeveria aktuale nuk kanë legjitimitet për të marrë vendime të tilla.
“Po ashtu, nuk ka ligjitimitet e as kompetencë që as të dërgoj këtë projektpropozim në qeveri sepse as ministria e as qeveria në tërësi nuk kanë kompetencë e as ligjitimitet për të marrë vendime kaq të rëndësishme”, ka shtuar ai.
Avokati Rrecaj ka theksuar se edhe Gjykata Supreme më herët ka tërhequr vërejtjen për veprime të tilla nga i njëjti ministër.
“Madje të njëjtit ministër, Gjykata Supreme ua ka tërheq vërejtjën me disa vendime të mëhershme”, ka kujtuar ai.
Ai e ka cilësuar propozimin për rritjen e pagës minimale në 500 euro si një veprim me efekt elektoral dhe jo të bazuar në analiza të thella ekonomike.
“Vendimi apo propozimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro është propozim me efekt elektoral, nuk guxon të bëhet në këtë formë, madje duhet të konsultohen në detaje bizneset kosovare edhe të bëhet analizë e thellë për kapacitetet e bizneseve dhe a kanë apo nuk kanë kapacitet që ta rrisin pagën minimale në 500 euro”, ka theksuar Rrecaj.
Ai paralajmëroi se një vendim i tillë, nëse do të kalonte, do të kishte pasoja të mëdha ekonomike për sektorin privat.
“Edhe ky vendim në qoftë se kalon, do të shkaktojë krizë të madhe ekonomike, edhe sidomos për bizneset e mesme dhe të vogla të cilat nuk do të mund t’i arrijnë të paguajnë punëtorët, rrjedhimisht do të mbyllen vende të punës edhe bizneset”, ka shtuar ai.
Në fund, Rrecaj ka theksuar se një vendim për rritjen e pagës minimale duhet të bëhet vetëm pas një analize të thellë dhe në përputhje me gjendjen reale të ekonomisë.
“Një vendim për rritjen e pagës minimale duhet të bëhet me një analizë të thellë pas rritjes ekonomike të ndjeshme edhe atë pas konsultimit të thellë me bizneset”, ka përfunduar avokati Visar Rrecaj për Arberia TV.