Organizata Shqiptaria ka njoftuar se ankesa e saj kundër vendimit të Komunës së Fushë Kosovës për dhënien e tokës komunale për ndërtimin e një xhamie është gjetur e bazuar, ndërsa procedura e ndjekur nga Kuvendi Komunal është konstatuar si e kundërligjshme.
Sipas deklaratës për media, Vendimi i Avokatit të Popullit (R.nr. 1153/2024) ka konfirmuar se vendimi i Kuvendit Komunal i datës 21 tetor 2024 nuk ka qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Si pasojë, është kërkuar rishikimi i tij dhe ka ndërhyrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Si rezultat i këtyre veprimeve institucionale, ndërtimi i xhamisë në parcelën e destinuar për shkollë është ndaluar, ndërsa lokacioni është ndryshuar.
Nga Organizata Shqiptaria ky vendim është cilësuar si një “fitore institucionale për ligjshmërinë, interesin publik dhe karakterin laik të shtetit”, duke theksuar se rasti dëshmon se vendimmarrja e Komunës së Fushë Kosovës ka qenë e nxituar dhe në shkelje të drejtpërdrejtë të hartës zonale komunale dhe parimeve të planifikimit urban.
Organizata ka sqaruar se kundërshtimi i saj nuk ka qenë i drejtuar kundër fesë apo besimtarëve, por kundër, siç thuhet, keqpërdorimit të pronës publike dhe devijimit të tokës së destinuar për arsim.
“Vendosja e një objekti fetar në një lokacion të planifikuar për shkollë, në hyrje të qytetit, ishte një veprim me ngarkesë politike dhe simbolike, jo nevojë reale komunitare”, thuhet në deklaratë.
Më tej, Organizata Shqiptaria vlerëson se ky rast tregon për përpjekje të Islamit politik, përmes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe mbështetjes së pushtetit lokal, për të imponuar vendime që bien ndesh me rendin juridik dhe interesin publik, qasje që sipas tyre është rrëzuar nga Vendimi i Avokatit të Popullit.
Në fund, organizata ka paralajmëruar se do të vazhdojë të reagojë dhe të denoncojë çdo rast ku, sipas saj, prona publike, arsimi dhe karakteri laik i shtetit cenohen nga interesa politike apo fetare.
“Drejtësia fitoi. Interesi publik fitoi. Rasti u mbyll, por kujtesa mbetet”, përfundon deklarata.
/TV Arbëria