Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Avokati i Popullit bisedoi me Pantiç, s’ka ankesa sa i përket trajtimit nga Policia

Avokati i Popullit bisedoi me Pantiç, s’ka ankesa sa i përket trajtimit nga Policia

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me zëvendësit e tij, Marija Radulovic dhe Niman Hajdari, realizuan sot një video takim me Dejan Pantiç, në pamundësi për ta vizituar në qendrën e ndalimit ku po mbahet, për shkak të barrikadave.

Pantiç është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Jarinje, ku edhe po mbahet në paraburgim me vendim të gjykatës, në pamundësi për t’u transferuar në ndonjë qendër të paraburgimit për shkak të situatës së krijuar.

Avokati i Popullit njofton se gjatë intervistimit, Pantiç tha se nuk ka ndonjë ankesë sa i përket trajtimit nga Policia e Kosovës.

“Ai ka avokat mbrojtës dhe e ka realizuar një takim online me të, ndërsa më 22 dhjetor 2022 ata kanë biseduar përmes telefonit. Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente. Sa i përket gjendjes shëndetësore, ai tha se vuan nga tensioni, por është duke e marrë terapinë adekuate. Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij. Ai theksoi se atij iu sigurua edhe shtrati për të fjetur dhe se i është dorëzuar vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit. Ai ka kërkuar që t’i lejohet vizita nga avokati mbrojtës dhe familja, dhe që të akomodohet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë dhe jo në ndonjë qendër tjetër. Avokati i Popullit falënderon Policinë e Kosovës për mundësimin e këtij kontakti edhe përkundër kushteve të jashtëzakonshme në të cilat po punojnë. Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha organet kompetente që të bëjnë maksimumin e tyre që Pantiç të trajtohet në pajtim me legjislacionin duke respektuar të gjitha të drejtat që i takojnë”, thuhet në njoftim.    /TV Arbëria

Powered by WordPress