Avokati i Popullit, së bashku me shoqërinë civile në Kosovë për shënimin e 10 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut kanë mbajtur tubimit me moton “Çohu për të Drejtat e Njeriut”.
Ky tubim është tradicional dhe mbahet që nga viti 2018, i cili ka për qëllim dërgimin e një mesazhi për angazhim më të shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se gjendja e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës vazhdon të jetë pamjaftueshëm në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare.
Sipas tij, respektimi i të drejtave të njeriut është tregues i nivelit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë në një vend.
“Bazuar në të gjeturat që Avokati i Popullit ka konstatuar këtë vit nga hetimi i rasteve që janë iniciuar sipas ankesave dhe sipas detyrës zyrtare është konstatuar se edhe përkundër progresit të arritur në respektimin e të drejtave të njeriut, mos-diskriminimit dhe barazisë, gjendja vazhdon të jetë shqetësuese veçanërisht sa i përket: Dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, vrasjes së grave dhe rasteve të dhunimeve seksuale të vajzave të mitura; pozitës së gruas në shoqëri që vazhdon të jetë diskriminuese në raport me burrat; pabarazisë që është e shprehur në nivel tepër të ulët të pjesëmarrjes së grave në ndarjen e pasurisë dhe në trashëgimi, pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës, në jetën politike dhe vendimmarrje dhe në sektor tjerë të jetës publike e private; pozitës së rëndë të personave me aftësi të kufizuar për shkak të pamundësisë së autoritetit publik për t’ju garantuar qasje fizike, qasje në arsim, në aftësim dhe riaftësim, punësim, shërbime sociale që garantojnë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme, mungesa e një ligji gjithëpërfshirës dhe aspekteve tjera”.
Sipas tij, shqetësuese vazhdon të mbetet cenimi i të drejtës për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme për shkak të zvarritjes së procedurave.
“Shqetësuese vazhdon të mbetet cenimi i të drejtës për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme për shkak të zvarritjes së procedurave, mungesës së një sistemi efektiv të mjeteve juridike gjyqësore, paqartësitë në interpretimin uniform të së drejtës, dhe mungesa e arsyetimit të duhur të vendimeve gjyqësore. Vazhdon të jetë shqetësim mos përmbushja e detyrimit për respektimin e të drejtave të fëmijëve, si: gjithë përfshirja në arsim të fëmijëve me aftësi të kufizuar, mbrojtja e fëmijëve nga punësimi para moshës së lejuar, mbrojtja e fëmijëve nga kërkimi i lëmoshës në rrugë, ruajtja e fëmijëve nga dhuna në familje, mungesa e integrimit të duhur social i tyre”.
“E drejta për mos diskriminim vazhdon t’u mohohet shumë kategorive të qytetarëve, sidomos atyre që janë me status më të rënduar social dhe ekonomik, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar dhe shumë grupeve të tjera shoqërore. Qytetarët që nuk kanë një vend pune dhe nuk realizojnë të ardhura, vazhdojnë të jetojnë në kushte tejet të vështira dhe pa as një mbështetje nga shteti edhe përkundër faktit se janë në këtë gjendje në pamundësi për të siguruar një vend pune. Shqetësuese mbetet mungesa e kapaciteteve institucionale për mbikëqyrjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda me jetë të humbura të qytetarëve nga shkaqet e aksidenteve në punë”.
Ai ka shtuar se vërehet mungesë e theksuar e përgjegjësisë institucionale për mos zbatimit të ligjit dhe mungesë e theksuar e llogaridhënies.
Qelaj ka bërë thirrje që autoritetet të përmbushin detyrimin dhe përgjegjësin dhe të adresojnë shqetësimet e ngritura si thirrje për zbatim të ligjit, përmbushjes të detyrimeve që kanë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, mos-diskriminimin dhe barazinë si vlera në të cilat është ndërtuar sistemi kushtetues.
“Shqetësuese mbetet mungesa e theksuar e përgjegjësisë institucionale për mos zbatimit të ligjit dhe mungesë e theksuar e llogaridhënies. Përkundër që mungesa e zbatimit të ligjit pranohet në të gjitha nivelet institucionale, në deklaratat publike dhe në forume të ndryshme, nuk shihen masat e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, në vazhdimësi përgjegjësia adresohet nga një autoritet te tjetri. Prandaj, Avokati i Popullit duke rikujtuar vlerat kushtetuese, të Republikës së Kosovës; Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut’. Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet të përmbushin detyrimin dhe përgjegjësin që ka shteti për masat që duhet të merr për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si detyrime pozitive. Autoritetet e të gjitha niveleve, të adresojnë shqetësimet e ngritura si thirrje për zbatim të ligjit, përmbushjes të detyrimeve që kanë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, mos-diskriminimin dhe barazinë si vlera në të cilat është ndërtuar sistemi jonë kushtetues. Duke pas në vëmendje të veçantë, mbrojtjen nga dhuna në familje të grave dhe vajzave, të drejtat e fëmijëve dhe mos diskriminimin e personave me aftësi të kufizuar si grup i cenuar i qytetarëve të vendit tonë”. /TV Arbëria