Avokati i njohur Faton Fetahu, nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social ka kërkuar qe urgjentisht të lirohen 35 personat e ndalaur para dy dite. Sipas tij, privimi i tyre për shumë se 48 orë nga liria është akt i kundër ligjshëm dhe shkelje e të drejtave kushtetuese qyetare. Ky është postimi i plotë i tij;
THIRRJE PËR LIRIM TË MENJËHERSHËM TË 35 PERSONAVE TË NDALUAR!
35 persona në procedurë penale vazhdojnë të mbahen të privuar nga liria në mënyrë tërësisht kundërligjshme, ndonëse afati ligjor prej 48 orësh i ndalimit të urdhëruar nga Prokuroria ka skaduar në ora 12:00. Ata po mbahen pa asnjë vendim gjyqësor të shkruar dhe pa asnjë bazë ligjore. Ky nuk është thjesht devijim procedural, por cenim i rëndë i së drejtës themelore kushtetuese për liri.
Në seancën dëgjimore të mbajtur mbrëmë lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj 39 të pandehurve në rastin e BKS-së, në emër të 35 avokatëve mbrojtës, parashtrova kundërshtimet tona të plota dhe kërkesën për lirimin e menjëhershëm të 35 të pandehurve në procedurë të rregullt. Ky qëndrim u mbështet shprehimisht nga të gjithë mbrojtësit. Edhe vetë Prokuroria kishte propozuar vetëm masa të buta, të cilat nuk kufizojnë lirinë e lëvizjes.
Pavarësisht kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake Fatmir Krasniqi, në vend që të ushtrojë autoritetin e tij gjyqësor dhe të marrë një vendim të ligjshëm në sallën e gjyqit, zgjodhi rrugën e heshtjes. Ky mosveprim, i maskuar si pritje për vendim të shkruar, dëshmon mungesë të theksuar guximi profesional për të marrë përgjegjësi gjyqësore dhe mungesë serioze të dijes profesionale mbi natyrën, qëllimin dhe kufijtë e masës së ndalimit.
Mbajtja e 35 të pandehurve në qendrat e mbajtjes pas përfundimit të seancës dëgjimore dhe, më keq akoma, pas skadimit të afatit ligjor të ndalimit, pa asnjë vendim gjyqësor në fuqi, përbën shkelje flagrante të parimit të ligjshmërisë dhe sigurisë juridike. Ky veprim krijon një precedent të rrezikshëm, zhvleftëson rolin kushtetues të gjykatës dhe e shndërron një masë të jashtëzakonshme në praktikë arbitrare.
Gjykata duhet të jetë gardiane e të drejtave dhe lirive të njeriut, jo institucion që i relativizon ato për shkak të mosguximit apo mungesës së dijes profesionale të gjyqtarit të çështjes. 35 të pandehurit duhet të lirohen menjëherë. Çdo minutë më shumë i këtij ndalimi të paligjshëm është përgjegjësi e drejtpërdrejtë institucionale dhe një njollë serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës.