Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë ka aprovuar si të bazuar ankesën që kam paraqitur si avokat i autorizuar i Ndërmarrjes Publike Banesore dhe ka rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin NPB ishte detyruar kundërligjshëm të zbatojë një kontratë të skaduar me një konsorcium të kompanive private.
Gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar shkelje serioze ligjore, ka prishur vendimin e kundërligjshëm dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje, duke dhënë udhëzime të qarta për mbrojtjen e interesit publik dhe pronës komunale.
Ky vendim i jep fund një tentative të rrezikshme për të realizuar një kontratë të dëmshme, e cila do t’u siguronte operatorëve privatë mbi 60 mijë metra katrorë prona publike për ndërtimin e pesë kullave shumëkatëshe afariste, me fitime enorme dhe me dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët e Prishtinës.
Edhe pse konsorciumi privat kishte kërkuar jo vetëm përmbushjen e kontratës, por edhe dhjetëra milionë euro dëm material dhe fitim të humbur, Gjykata Komerciale e Shkallës së Parë e kishte detyruar NPB-në të zbatojë një kontratë që asnjëherë nuk kishte hyrë në fuqi. Gjykata e Shkallës së Dytë, me të drejtë, konstatoi se një vendim i tillë nuk ka bazë ligjore. Nëse ky vendim nuk do të rrëzohej, pasojat financiare për buxhetin publik do të ishin enorme, me kërkesa që shkonin mbi 100 milionë euro, përfshirë kamatën ligjore. Prandaj, si zyrë e avokatisë jemi të kënaqur që argumentet tona u pranuan plotësisht dhe që u mbrojt interesi publik.
Në këtë proces ka pasur rol të rëndësishëm edhe angazhimi i ish ministrit të Drejtësisë dhe ish shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me iniciativën e të cilit zyra jonë u angazhua pro bono, në funksion të mbrojtjes së pronës publike dhe parasë së taksapaguesve.
Ky rast dëshmon se kontratat e dëmshme, abuzimi me pronën publike dhe favorizimi i interesave private mund të ndalen, kur ka vullnet politik dhe profesionalizëm që i shërben mbrojtjes së interesit publik.
