Avokati Emrush Kastrati ka vlerësuar me tone të forta dëshminë e gjeneralit amerikan Wesley Clark në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndër dëshmitë më të rëndësishme dhe më vendimmarrëse deri më sot.
Sipas Kastratit, dëshmia e Clark ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e bindjes së trupit gjykues.
Ai deklaroi:
“Dëshmia e Wesley Clark është si të thuash një ndër dëshmitë më vendimmarrëse në kuptimin krijimin e bindjës së opinionit, përkatësisht trupit gjykues për të vlerësuar drejtë situatën e krijuar në raport me aktakuzën që është ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së”.
Kastrati tha se e ka përcjellë me vëmendje të madhe sesionin e parë të dëgjimit, duke theksuar peshën e argumenteve të paraqitura.
“Me kënaqësi e kam përcjellë aq që ishte përmbajtësore, si në aspektin diplomatik edhe atë ushtarak, saqë për mendimin tim në njëfarë mënyre e ka fundos komplet aktakuzën në kuptimin e intimidimit të krerëve të UÇK-së për atë që janë akuzuar”.
Avokati shprehu bindjen se procesi gjyqësor po shkon drejt një epilogu të qartë.
“Për bindjen time është koha në pyetje deri sa të fillojnë e të vazhdojnë procedurat, sepse nuk ka zgjidhje tjetër, nuk ka ndonjë vendim tjetër që mund të vijë në shprehje nga ana e trupit gjykues përpos një aktgjykimi lirues”.
Ai rikujtoi edhe rolin historik të SHBA-së në bombardimet e NATO-s dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
“Edhe gjatë bombardimeve të NATO-s është dëshmuar që vetëm avionët e NATO-s kanë bombardu caqet ushtarake serbe për 78 ditë me radhë… kjo tregon se SHBA kanë ndërtu një partneritet në raport me Kosovën dhe luftën e UÇK-së, dhe në këtë drejtim SHBA ka qenë dhe është e interesuar që ta mbrojë interesin juridik të Kosovës”.
Kastrati theksoi se dëshmitë e zyrtarëve amerikanë janë jetike për procesin.
“Dëshmia e zyrtarëve më të lartë amerikan tregon shumë për shumë aspekte, së pari tregon fuqishmërinë objektive të krerëve shtetërorë e ushtarakë të SHBA-së dhe në anën tjetër besueshmëria në dëshmitë e tyre është e nivelit të lartë… të njejtit e kanë bërë edhe në aspektin ushtarak në ndihmën dhe ofrimin që ia kanë dhënë pjesëtarëve të UÇK-së gjatë kohës së luftës”.
Kastrati përfundoi duke nënvizuar se dëshmia e Clark mund të jetë pikë kthese vendimtare në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.