Avokati Asdren Bytyqi, në një intervistë për TV Arbëria, ka komentuar zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, duke theksuar se ato po zbulojnë elemente thelbësore mbi organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bytyqi tha:
“E konsideroj që faktet më të rëndësishme dhe vendimtare që i zbulojnë ish-zyrtarët e lartë amerikan dëshmojnë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë një ushtri e mirëfilltë, në kuptimin e organizimit strukturor hierarkik vertikal, pra nuk ka pasur një linjë të qartë komanduese dhe një linjë të drejtë të urdhërimit për të gjitha degët, përkatësisht në zonat e luftës në Kosovë”.
Ai theksoi se sipas këtyre dëshmive, mungesa e një zinxhiri të qartë komande e përjashton përgjegjësinë hierarkike të udhëheqësve të UÇK-së për veprat e kryera nga persona të caktuar në terren.
Bytyqi shtoi:
“Rrjedhimisht përgjegjësia e drejtpërdrejtë hierarkike e udhëheqëve apo anëtarëve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së nuk qëndron, nuk ekziston sa i përket krimeve apo veprat të cilat janë kryer nga komandantët e zonave apo ushtarë të caktuar sepse ka munguar linja e komunikimit”.
Sipas tij, dëshmitë amerikane konfirmojnë se ndikimi i udhëheqësve të lartë të UÇK-së në vendimet e komandantëve të zonave ka qenë i kufizuar.
“Fuqia e udhëheqësve të lartë të UÇK-së në teren, në veprime, në aksione, në vendimet e komandantëve të zonave ka qenë e dobët sepse kanë pasur detyrat e kufizuara dhe kanë pasur qëllime të tjera më shumë në organizimin politik të UÇK-së sesa në kapacitetet për vendimmarrje”.
Ai përfundoi se këto dëshmi e cilësojnë UÇK-në si një formacion partizan, jo një ushtri të strukturuar në mënyrë klasike.
“Mund të themi që me këtë është vërtetuar që UÇK-ja ka qenë një ushtri partizane pa një organizim të mirë të detajuar struktural”.
Sa i përket dëshmisë së ardhshme të ish-komandantit të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, Bytyqi tha se nuk ka ende parashikim konkret.
“Sa i përket dëshmisë së Clark, i njëjti ende nuk ka dëshmuar. Ne nuk mund ta parashikojmë dëshminë e tij…”
Megjithatë, ai shprehu bindjen se qëndrimi i Clark do të harmonizohet me linjën zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç kanë bërë dëshmitarët e tjerë amerikanë.
“…por meqenëse këta zyrtarë të lartë të SHBA-së nuk kanë rënë ndesh me njëri-tjetrin, gjithmonë me koordinim dhe me leje paraprake nga DASH për të deklaruar, konsideroj se qëndrimi i tij do të jetë qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket udhëheqësve të lartë të UÇK-së”.
Ai theksoi se këtë qëndrim e ka artikuluar më së qarti James Rubin.
“I cili qëndrim mendoj që është përkthyer, shpjeguar dhe përgjigjur më së qarti dhe më së zgjeruari nga James Rubin si dëshmitar i parë, i madh si zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.=”.