Avokati Ardian Bajraktari ka theksuar se Gjykata Speciale është pjesë e legjislacionit dhe sistemit të drejtësisë të Kosovës, pavarësisht se funksionon në mënyrë të veçantë, pa një mekanizëm të plotë llogaridhënieje ndaj publikut dhe organeve të tjera të drejtësisë. Ai shprehu shqetësimin lidhur me shkeljet dhe pretendimet që janë ngritur nga figura të njohura si Haradinaj dhe Gucati, duke theksuar se këto shqetësime kanë lindur nga trajtimi i procesit dhe sjellja e autoriteteve ndaj këtyre individëve.
Bajraktari shtoi se, për të adresuar një shkelje të mundshme, duhet parë në çfarë kapaciteti dhe cilësie janë zhvilluar procedurat. Ai po ashtu përmendi mundësinë që Haradinaj, si shtetas i një shteti të Bashkimit Evropian, mund të përfitojë nga statusi i tij, ndërkohë që, në rastin e kundërt, mund të ketë pengesa të natyrës procedurale për të adresuar çështje të tilla. Avokati Bajraktari theksoi se duhet pasur kujdes në vlerësimin e këtyre situatave dhe në menaxhimin e procesit të drejtësisë në nivel ndërkombëtar dhe vendor.
‘’Fillimisht, duhet pasur parasysh që Gjykata Speciale është pjesë e legjislacionit tonë dhe pjesë e sistemit të drejtësisë, pavarësisht se funksionon si një ishull brenda këtij sistemi, me mungesë të llogaridhënies, si ndaj publikut ashtu edhe ndaj mekanizmave të tjerë, të cilët zakonisht janë përgjegjës për trupat e tilla. Sa i përket shkeljeve dhe pretendimeve, shqetësimet janë ngritur në diskutimet dhe rrëfimet e personazheve si Haradinaj dhe Gucati, sidomos sa i përket qasjes dhe sjelljeve që kanë pasuar. Këto situata kanë shpërthyer për shkak të ushqyerjes së tensioneve dhe ndjenjave. Megjithatë, në bindjen time, duhet parë se në çfarë kapaciteti dhe cilësie ka ndodhur ky proces, sepse, siç dihet, për të adresuar një shkelje të tillë ekzistojnë disa aspekte procedurale. Ndërkohë, Haradinaj mund ta ketë shfrytëzuar shtetësinë e tij, në rast se ka ardhur si shtetas i një prej vendeve të BE-së, ndërsa, në të kundërtën, mund të hasë pengesa të natyrës procedurale.’’, tha ai. /TV Arbëria