Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Avokatët me kritika ndaj institucioneve për mungesë vizitash ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Avokatët me kritika ndaj institucioneve për mungesë vizitash ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk po bëjnë mjaftueshëm në rastin e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë. Kështu vlerësojnë avokatët në vend, teksa kërkojnë të ndihmohen duke krijuar departament me një grup juristësh.

Ata kritikojnë edhe mungesën e vizitës nga krerët institucional në Hagë, teksa e quajnë “distancim në raport me ta”.

Avokati Burim Halili, ka thënë mungesa e vizitave të krerëve institucional në Hagë, shpërfaq distancim për çlirimtarët.

“Fillimisht krerët e institucioneve tona është dashtë të krijojnë një departament prej një grupi juristësh vigjilent, njohës të fushës ndërkombëtare të krimeve të luftës dhe të njëjtit është dashtë të t’u ndihmojnë të bashkakuzuarve dhe anëtarët e familjeve tyre për të përzgjedhur avokatët më të mirë në Tribunalët ndërkombëtare që kanë treguar vetën edhe në rastet tjera të mëhershme”, u shpreh Halili, duke kërkuar nga institucionet që të jenë bashkërisht në këtë betejë ligjore.

“Mendoj që nuk është në rregull të mos iu bëhen vizita nga krerët e institucioneve tona ish-krerëve të UÇK-së sepse tregon një distancim nga institucionet tona në raport me ta dhe këtu mendoj që duhet të kemi më shumë vizita nga krerët e institucioneve dhe të njëjtit t’ua japin besimin që në këtë betejë ligjore jemi bashkërisht për të mos u akuzuar nga institucionet dhe shtetet ndërkombëtare për ndërhyje ne drejtësi mund të rezervohen në deklarimet e tyre lidhur me pa ose fajësinë e tyre përveç deklarimeve që kanë të bëjnë më atë krerët që besojnë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe besojnë në një vendim të drejtë të ndërkombëtarëve në Hagë”, u shpreh Halili.

Ndërsa avokati tjetër, Arbër Jashari, ka thënë se nuk mjaftojnë deklarimet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për pagesat e avokatëve.

“Atje kemi të bëjmë me një gjykim që është i madh dhe maratonik dhe shumë i rëndësishëm që kërkon qasje profesionale, prandaj nuk mjafton të thuhet se ne do të paguajmë avokat ose të caktohen kuota, rregullore ose ligje të caktuara. Ligjet dhe direktivat ligjore dhe duhet t’i përshtaten situatës reale. Secilit të pandehuri atje, pra krerët e UCK-së duhet t’u jepet mundësia që të mbrohen ashtu siç ata dëshirojnë dhe më ekipin që ai mendon se do të ja dal mbarë”, deklaroi Jashari.

Duke folur për mbrojtjen që po i bën shteti ish-krerëve të UÇK-së, Jashari ka kërkuar që të lihen anash inatet politike dhe të jenë të bashkuar. Këtë e konsideron si borxh ndaj tyre.

“Të gjithë ju kemi borxh atyre të cilët kanë luftuar. Më përpara populli jonë është solidarizuar në forma të ndryshme për t’u dal në ndihmë, ndërsa tani që e kemi shtetin tonë, është mirë që shteti të përkujdeset dhe t’u dal në ndihmë ashtu siç ata e meritojnë, pasi që bëhet fjalë për mbrojtjen e disa nga vlerave tona më sublime, duhet të harrohen emrat e përveçëm duhet të harrohen paragjykimet që mund t’i ketë pushteti aktual. Jemi duke folur për periudhën e viteve 1998-1999 e cila është periudha më e rëndësishme për shqiptaret dhe shteti jonë duhet të bëjë shumë më shumë”, ka thënë Jashari.

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress