Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Avokatët: MD-ja s’ka kompetencë për të ashpërsuar dënimet kryerësve të dhunës në familje, mashtrim e gënjeshtër

Avokatët: MD-ja s’ka kompetencë për të ashpërsuar dënimet kryerësve të dhunës në familje, mashtrim e gënjeshtër

Njohësit e çështjeve të drejtësisë po e kritikojnë Ministrinë e Drejtësisë për dërgimin e mesazheve se ky dikaster ka ashpërsuar dënimet për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje.

Sipas avokatëve, një mesazh i tillë është i gabuar dhe tendencë për të manipuluar. Ata bazohen në kompetencën që e ka MD-ja dhe si e tillë e quajnë qëllim për të mashtruar opinionin.

Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se një term i tillë është i gabuar pasi MD-ja i harton projektligjet e tilla me të cilat ndryshohen dhe plotësohet Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale.

Bajraktari ka thënë se institucioni kryesor që ka përgjegjësi kushtetuese për miratimin e projektligjeve është Kuvendi.

“Po, qytetarët kanë pranuar një sms (mesazh) nga ana e Ministrisë së Drejtësisë me rastin e fillimit të 16-të ditëve aktivizmit qytetarë, me fokus parandalimin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore dhe kam përshtypjen se një sms i tillë do të ishte më korrekt nëse do të thuhej se ‘Ministria e Drejtësisë e ka propozuar ose mbase edhe e ka hartuar’, sepse referuar përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore është Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas nenit 65 të Kushtetutës, ai i cili është i mandatuar për miratimin e projektligjeve, andaj Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë fillimisht ka hartuar, propozuar në Qeveri pastaj Qeveria ka propozuar në Kuvend ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, Kodit të procedurës Penale sipas së cilave janë ashpërsuar ose janë paraparë disa prej masave dhe dënimeve për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje dhe të dhunimit”, ka thënë Bajraktari.

“Ministria i ka hartuar, ndërsa përgjegjësi kushtetuese është e Kuvendit miratimi i tyre, prandaj kam përshtypjen që në rast se do të thuhej edhe në atë mesazh që Qeveria, përkatësisht Ministria e ka hartuar besoj që do të ishte më korrekte mirëpo megjithatë e rëndësishme është që tashmë me ligjin e ri, që ndryshon dhe plotëson Kodin Penal parashihen disa masa jashtëzakonisht të ashpra për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe të dhunimit, sikur që përmes ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të procedurës penale vlerësoj që do të këtë më shumë aktivitet nga ana e organeve ligjzbatuese në drejtim të hetimit  në kohë më të shpejtë si dhe gjykimin në kohë më të shpejtë të këtyre veprave. Pra është në përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë të hartoj politika të tilla, por ajo i propozon Kuvendit dhe është përgjegjësi e Kuvendit të i hartoj ndërsa është përgjegjësi po ashtu kushtetuese dhe ligjore e organeve ligjzbatuese, parasë gjithash, e Prokurorit të Shtetit me i hetu këto vepra si dhe e Gjykatës mbi bazën e asaj që propozohet nga Gjykatësi me i gjyku”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa masat e ndërmarra në parandalimin e dhunës në familje, po i konsideron të pamjaftueshme. Për këtë, Bajraktari ka kërkuar më shumë angazhim nga institucionet përgjegjëse.

“Natyrisht që  janë të pamjaftueshme për faktin që kemi një shpërfaqje bukur të madhe të këtyre veprave në nivel vendi, andaj organet ligjzbatuese para se gjithash Prokurori i Shtetit dhe Gjykatat besoj se duhet te jenë më pro aktive edhe në drejtim të rishikimit të politikës ndëshkimore por edhe organeve tjera në drejtim të parandalimit të aktiviteteve të tilla, për faktin se është thënë mbi bazën e statistikave tashmë vetëm në vitin 2023 kemi më tepër se mbi dy mijë raste të fenomenit të dhunës me bazë gjinore andaj në pikëpamjen time është një numër jashtëzakonisht i lartë i këtyre veprave dhe duhet një nivel i madh i angazhimit nga të gjithë akterët relevant në drejtim të parandalimit, por mbi të gjitha edhe rishikimit mbase të politikes ndëshkimore në funksion të parandalimit”.

Ndërsa avokati tjetër, Arbër Jashari, ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka mandat të ashpërsojë e as të zbus dënime. Këtë e quan gënjeshtër dhe mashtrim nga ana e këtij dikasteri.

“Mesazhi në dukje është i çuditshëm dhe i palogjikshëm duke ditur që Ministria e Drejtësisë nuk është ajo që mund të ashpërsojë apo të zbut ndonjë dënim të caktuar por duke njohur rrethanat e kam kuptuar që Ministria e Drejtësisë i referohet ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur para një jave me iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë ka hyrë në fuqi plotësimi i ligjit për Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Kodin e Procedurës Penale të cilat Kodi Penal parasheh dënime më të ashpra ndërsa kodi procedurës parasheh disa procedura shtesë sikur që janë që këto lëndë të trajtohen në mënyrë më urgjente mirëpo se si është përpiluar nga Ministria është e paqartë edhe gjysma e së vërtetës dhe mund të duket një far lloj gënjeshtre ose propagande sepse Ministria e Drejtësisë nuk mund të ashpërsojë e as të zbus dënimet por mund ta marr iniciativën për ndonjë nisëm ligjore dhe ndryshim të ndonjë ligji dhe atë ta përcjell në Kuvend pastaj Kuvendi i voton dhe të kalojë afati i caktuar ligjor që të hyje në fuqi procedurë si për të gjitha ligjet”, ka thënë Jashari.

Bajraktari ka thënë se MD-ja ka dashur të manipulojë me këtë fakt, duke ditur se një laik e kupton pozicionin që e ka ky dikaster përkitazi me ashpërsimin apo zbutjen e dënimeve.

“Plotësimi dhe ndryshimi i ligjeve që i përmendëm është atribut i Ministrisë së Drejtësisë kjo nuk i mohohet por në këtë formë të vërteten e ka thënë në formë të përgjysmuar dhe ia ka humbur kuptimin e punës së vet besoj që mesazhi ka mundur të përcillet në forma të tjera si me iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë dhe mendoj që mesazhi ka mundur të përcillet edhe në forma të tjera që do ishte e saktë dhe me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë është ashpërsuar dënimi për veprat penale të dhunës por në këtë formë si na ka ardhur neve përmes telefonit shpërfaq një tendencë që t’i jap vetës një atribut që nuk i takon dhe shtrohet pyetja a është bërë nga padija apo qëllimisht mendoj që është bërë qëllimisht sepse target nuk janë njerëzit që kanë njohuri për ligjin edhe mënyrën se si funksionon procedura dhe ligjbërja në Kosovë se si ashpërsohen dhe zbutën dënimet dhe është bërë për masën e gjerë që nuk kanë njohuri bazike”, u shpreh Jashari.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar dërgimin e këtyre mesazheve, duke thënë se ata vetëm janë njoftuar me ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ajo ka thënë se kushdo që shpallet fajtorë për veprën penale të dhunës në familje dhe dhunës seksuale do ta merr edhe dënimin plotësues që do t’i pamundësohet punësimi në institucionet publike dhe kandidimi në pozita publike në nivelin lokal e qendror.

/TV Arbëria

Powered by WordPress