Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Avantazhi i Heshtur: Si LVV Po Kapitalizon Votën e Grave në Zgjedhje

Avantazhi i Heshtur: Si LVV Po Kapitalizon Votën e Grave në Zgjedhje

Nga Shenoll Muharremi

Partitë politike janë më të kompletuara këtë herë me organizimet e fushatës dhe tubimeve të tyre. Edhe investimet janë më të larta se më herët për disa prej tyre. Në secilin aspekt, përfshirë atë programor, ka përparime. Por ka një aspekt që vetëm një parti po e përdor në maksimum dhe po e fuqizon deri më tani: gratë!

Në tubimet e LVV-së gjithmonë ka gra që marrin fjalën dhe flasin. Kjo nuk bëhet pa një kalkulim të mirëplanifikuar. Jo vetëm që është e domosdoshme të flasë një grua kandidate në tubimet e LVV-së, por ajo gjithashtu ka për detyrë të kërkojë votën e grave.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, të drejtë vote kanë rreth 1 milion gra. Këtë deri më tani vetëm LVV po e shfrytëzon maksimalisht. Kjo, padyshim do t’i përkthehet në avantazh elektoral dhe ndoshta një numër i konsiderueshëm votash do të fitohet nga ky grup elektorati.

Sapo shikova një tubim të LDK-së. Aty ishte një kandidate grua që u prezantua, por nuk foli asnjë grua. Kjo ndodh zakonisht edhe në tubime të tjera. As PDK nuk ka qenë e kujdesshme në këtë aspekt. Kryesisht, në skenë kemi parë kryetarin e partisë dhe kandidatin për kryeministër. Përkundër faktit që si LDK, ashtu edhe PDK kanë gra jashtëzakonisht të suksesshme, këto kapacitete nuk janë shfrytëzuar në tubimet kryesore.

Ndërsa LVV po duket si një parti që përfshin, përfaqëson dhe thërret gratë të votojnë për të, PDK dhe LDK nuk po e përdorin këtë kartë, edhe pse gjysma e elektoratit përbëhet nga gra. Dhe kjo duket të jetë diçka sistematike. Ju kujtohet kur janë përpiluar dhe prezantuar listat e kandidatëve për deputetë? LVV ka pasur më së shumti gra të përfshira: 41 gra dhe 68 burra. Ndërsa LDK dhe PDK kanë pasur vetëm nga 38 gra dhe 72 burra në listat e tyre.

Kjo mund të duket e parëndësishme, por është një mundësi e humbur për partitë e tjera, sidomos kur tani votuesit kanë të drejtë të votojnë deri në 10 kandidatë. Në ditën e zgjedhjeve, LVV do të krijojë një avantazh cilësor nga kjo strategji, e cila me siguri do t’i sjellë një përqindje të konsiderueshme të votave.