Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > ATK kërkon nga bizneset të lëshojnë kuponë fiskalë për shitje online

ATK kërkon nga bizneset të lëshojnë kuponë fiskalë për shitje online

ATK njofton bizneset se janë të obliguara të lëshojnë kuponë fiskal edhe për shitjet online.

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK), rikujton të gjithë personat se furnizimi i mallrave dhe shërbime në mënyrë elektronike përmes internetit është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër.

Sipas ATK-së, tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.

“Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore”, thuhet në njoftimin e ATK-së .

Më tej thuhet se kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Po ashtu printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.

“Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale. Kjo do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t’ia dërgojë klientit së bashku me produktin”, thuhet në komunikatën  për media të ATK-së .

Çdo qytetar, për të qenë në gjendje që të ushtrojë të drejtat e tij si konsumator, është e rëndësishme të njihet me detyrimet e tij, ku njëra prej tyre është marrja e kuponit fiskal”, vazhdon komunikata.

Sipas njoftimit këto mjete përmes të hyrave buxhetore kthehen në buxhetin e Kosovës, të cilat më tutje përdoren për ndërtimin e infrastrukturës publike, spitaleve, shkollave, çerdheve për fëmijët, etj., nga të cilat projekte përfitojnë drejtpërdrejt apo indirekt qytetarët.

“Duke marrë kuponin fiskal, qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në “luftimin” e ekonomisë së hirtë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit dhe të shoqërisë”, thuhet në fund të këtij njoftimi.

/TV Arbëria

Powered by WordPress