Përpjekja për vrasjen e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump është një argument më shumë përse duhet punuar kundër dhunës nga armët, thotë zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik Dr. Vivek Murthy. Dr. Murthy së fundmi e shpalli dhunën nga armët e zjarrit në Amerikë një ‘krizë të shëndetit publik’. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas, në Shtetet e Bashkuara mbizotërojnë mosmarrëveshjet mbi çështjen e armëmbajtjes.
Atentati ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump më 13 korrik e ka tronditur zyrtarin më të lartë amerikan për shëndetin publik Vivek Murthy.
“Ne humbasim afro 50,000 jetë çdo vit nga dhuna me armë. Unë shpresoj që kjo të mos shihet si një çështje politike por si një çështje e shëndetit publik që na prek të gjithëve”, thotë Dr. Murthy.
Muajin e kaluar ai e shpalli dhunën nga armët si krizë të shëndetit publik.
Dr. Murthy vë në dukje se 54% e amerikanëve e kanë përjetuar personalisht dhunën nga armët, apo nëpërmjet një anëtari të familjes dhe ai sugjeron disa mënyra se si mund të trajtohet ky problem.
“Kjo përfshin zbatimin e programeve të parandalimit të dhunës në komunitet dhe strategjive për zvogëlimin e rrezikut nga armët e zjarrit. Të rritet ndihma për kujdesin e shëndetit mendor për ata që janë në rrezik për dhunë me armë zjarri”, thotë Dr. Murthy.
Shoqata Kombëtare e Armëve i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate se kjo është “një përpjekje e shtuar e luftës së administratës së Presidentit Biden ndaj pronarëve të armëve që i binden ligjit”.
“Politikat liberale progresive po dështojnë të mbrojnë publikun; ata po dështojnë të zbatojnë ligjet që tashmë ekzistojnë. Ata rregullisht po lirojnë të njëjtin grup të vogël të njerëzve që është përgjegjës për shumicën dërrmuese të krimeve të dhunshme, në vend që t’i mbajnë në burg”, thotë zonja Swearer.
Zëri i Amerikës pyeti disa votues amerikanë nëse përpjekja për vrasjen e ish Presidentit Trump e ka ndryshuar këndvështrimin e tyre për armëmbajtjen.
“Unë mendoj se nëse dini ta përdorni armën, duhet ta keni një të tillë. Në situatën në të cilën jemi, mendoj se më shumë njerëz duhet të armatosen dhe të mbrojnë shtëpitë e tyre”, thotë për Zërin e Amerikës votuesja amerikane Andrea Gonzales, e cila posedon armë zjarri.
“Ka shumë dhunë në Amerikë dhe ne duhet të jemi më të qartë rreth kontrollit të armëve. Nuk më pëlqen kur shoh dikë që lëndohet”, thotë për Zërin e Amerikës votuesja amerikane Mickey Witzig.
Studiuesit thonë se përtej diskutimeve kritike, por të vështira kombëtare mbi politikat, ka masa që mund të merren për të parandaluar vdekjet nga armët e zjarrit, shumica e të cilave ishin vetëvrasje në vitin 2022.
“Disa prej masave janë t’i mësojmë aftësitë e parandalimit të vetëvrasjeve. Të mos kemi frikë të kontaktojmë njerëzit dhe të bëjmë biseda që nuk janë të lehta. Të ndërtojmë struktura ku mund të raportojmë shqetësimin që kemi për dikë dhe të krijojmë plane parandalimi”, thotë Jillian Peterson nga Projekti për Parandalimin e Dhunës.
Shkollat, vendet e punës, qendrat e besimit e institucione të tjera mund të marrin pjesë në këto përpjekje, vuri në dukje zonja Peterson./VOA