Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Atentati me tre viktima, Berisha: Të shtunën protestë në Shkodër kundër bandës së pushtetit

Atentati me tre viktima, Berisha: Të shtunën protestë në Shkodër kundër bandës së pushtetit

Partia Demokratike e Shqipërisë të shtunën në orën 12:00 do të dalë sërish në protestë, këtë herë për t’u solidarizuar me qytetarët e Shkodrës pas masakrës me tre të vrarë dhe një të plagosur.

Sali Berisha, teksa njoftoi se opozita do të ketë një marshim për t’i thënë jo krimit, kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

“Në shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës, ftoj të gjithë opozitarët kudo që janë, të shtunën në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytetar të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët”, tha Berisha.

Sipas Berishës kjo protestë organizohet pasi masakra e së mërkurës është një ngjarje e paralajmëruar dhe shtoi se policia në këtë qytet nuk mbron qytetarët por krimin.

Duke kujtuar atentatin e dështuar ndaj një prej viktimave pak ditë më parë, Berisha tha se policia kishte të dhëna për masakrën e djeshme por nuk mori asnjë masë, raporton A2CNN.

“Nuk e kam të sigurt burimin, por duan të thonë, se në pritë i nxori dikush nga policia që u devijoi rrugën Licit dhe Bushatit”, deklaroi Berisha.

Teksa u pyet për reagimin e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili siguroi qytetarët për një hetim të plotë të ngjarjes, Berisha hodhi akuza ndaj tij duke e quajtur ushtar të bandave.

“Se kush është atentatori me emër e mbiemër, Shkodra e di mirë. Shkodra e ka pa, e di mirë policia se kush i nxori në pritë. Pyeteni ministrin pak, pse nuk arrestuat atentatorin e shtatorit në zemër të qytetit”, tha Berisha.

Lideri demokrat pohoi se ngjarja e rëndë në Shkodër nuk është një përplasje mes bandave, por është një masakër ndaj të gjithë shqiptareve.

Powered by WordPress