Astrit Gashi ka deklaruar se pa përfshirjen e Fatmir Limajt, PDK-ja rrezikon të pësojë rënie të madhe elektorale.
Sipas tij, ndonëse Limaj personalisht ka rreth 15 mijë vota, ai i sjell PDK-së afro 50 mijë vota shtesë përmes mobilizimit të votuesve të pavendosur dhe segmenteve që nuk identifikohen drejtpërdrejt me partinë.
“Limaj shërben si urë për ata që nuk duan ta votojnë direkt PDK-në, por që identifikohen me kauzat e tij. Ai arrin të tërheqë vota nga shtresa të ndryshme politike që PDK-ja e vetme e ka të vështirë t’i bëjë për vete”, ka shkruar Gashi.
Ai vlerëson se pa këtë bashkëpunim, PDK-ja mund të bjerë në rreth 15 për qind, ndërsa me Limajn arrin deri në 25 për qind të mbështetjes.
Në reagimin e tij, Gashi ka kritikuar ashpër edhe atë që e quan “Grupi Urban” brenda PDK-së, duke përmendur Vlora Çitakun dhe Uran Ismailin, për të cilët thotë se “duken si kanceri i partisë”.
Megjithatë, ai shton se edhe Limaj ka pasur gabime politike, por sipas tij, “në momentin kur PDK-ja po përçahet dhe po e sulmon vetveten, Limaj mbetet lider i pakontestueshëm”.