Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Asociacioni, sytë te ShBA-ja

Asociacioni, sytë te ShBA-ja

Topi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e SHBA – së paku sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Omani.

E para e shtetit tha në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës se SHBA-ja do të duhej të merrte rol udhëheqës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Këtë rol, tash e dymbëdhjetë vjet, e ka Bashkimi Evropian.

“Mendoj se zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në dhe ta përgatisim draft-statutin e Republikës së Kosovës” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, tha Osmani më 27 shtator.

As BE-ja, as Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për ta komentuar këtë deklaratë.

REL-i kërkoi nga Presidenca e Kosovës më shumë sqarime për të, por, ngjashëm, nuk mori përgjigje.

Nga Qeveria e Kosovës thanë se, ashtu sikurse edhe në të kaluarën, e mirëpresin interesimin dhe përfshirjen në forma të ndryshme të SHBA-së në procesin e dialogut.

“Por, gjithsesi i takon SHBA-së ta përcaktojë nivelin dhe formën e rolit dhe të përfshirjes në këtë proces”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për REL-in.

Sipas disa njohësve të zhvillimeve në Kosovë, propozimi i presidentes Osmani është “i zgjuar”.

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Propozim i zgjuar
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë për REL-in se propozimi i presidentes Osmani që SHBA-ja ta udhëheqë dialogun, është “mjaft i zgjuar”.

Sipas tij, Kosova po e shfrytëzon levën që i ka dhënë “sulmi katastrofik” në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

“Ky është me të vërtetë momenti që Prishtina ta tërheqë vëmendjen për atë që e sheh si çekuilibër në Bruksel”, thotë Joseph.

“Sipas mendimit tim, çekuilibri i vërtetë nuk është te menaxhimi i dialogut nga BE-ja, është te fakti që dialogu udhëhiqet nga ish-ministrat e Jashtëm të dy vendeve që nuk e njohin Kosovën. Kjo ka krijuar një çekuilibër që në fillim. Si mund ta çoni Beogradin drejt ndonjë njohjeje të Kosovës – madje edhe njohje de facto – kur vendi juaj i origjinës refuzon ta njohë Kosovën”, pyetet Joseph.

Ai u referohet dy diplomatëve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, të cilët vijnë nga Spanja, përkatësisht nga Sllovakia – të dyja vende të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Joseph thotë se propozimi që Kosova t’ia prezantojë SHBA-së konceptin e saj për Asociacionin, e forcon pozitën e Prishtinës, ndërsa e ekspozon Beogradin si kundërshtar të vërtetë të dialogut.

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, thotë se nuk parashikon ndonjë ndryshim të madh në qasjen e SHBA-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

SHBA-ja, sipas tij, ka qenë në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian për këtë çështje.

“Ky harmonizim ka qenë veçanërisht i dukshëm në muajt e fundit. SHBA-ja i është bashkuar BE-së në presionin mbi Kosovën për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thotë Hartwell për Radion Evropa e Lirë.

“Për më tepër, vlen të theksohet se partneriteti BE-SHBA e ka fajësuar Kosovën gjithnjë e më shumë për dështimin e perceptuar të dialogut, edhe kur është e qartë se Serbia mban përgjegjësi për përshkallëzimin e konflikteve”, shton ai.

Sipas tij, është e rëndësishme që SHBA-ja dhe BE-ja të pranojnë se dialogu aktual është në një ngërç, kryesisht për shkak të mungesës së angazhimit të Serbisë.

“Vetëm kur të njihet ky realitet, ne mund të fillojmë të hulumtojmë rrugë alternative për adresimin e çështjeve thelbësore të konfliktit Kosovë-Serbi”, thotë Hartwell.

Qëndrimi i SHBA-së për Asociacionin
Për SHBA-në, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 20 shtator, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosova duhet ta çojë përpara këtë marrëveshje.

Sipas tij, SHBA-ja beson se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenier.

“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, ka thënë ai.

Qëndrimi i BE-së për Asociacionin
Për Bashkimin Evropian, çështja se si bëhet Asociacioni, si do të duket dhe si do të operojë, duhet të diskutohet në dialog.

“BE-ja dhe vendet anëtare kërkojnë që themelimi i Asociacionit të nisë pa vonesa shtesë dhe pa parakushte”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petr Stano, më 21 shtator.

Kështu, ai nuk u është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të gazetarëve nëse statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka thënë se parimet e Asociacionit mund të harmonizohen përmes akteve ligjore.

Në fillim të majit në Bruksel është paraqitur një draft-statut i Asociacionit, i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej prej katër pjesëtarësh të komunitetit serb, përfshirë një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Por, ai është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk është në pajtim “me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane dhe të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”.

Qeveria e tij ka dalë me të ashtuquajturin “model kroat” për Asociacionin, por ai nuk ka shkuar përpara.

Ku qëndron dialogu?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar një rund të ri bisedimesh në Bruksel më 14 shtator, por pa ndonjë sukses.

Ata nuk janë pajtuar rreth hapave për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, që është arritur në muajin shkurt dhe që përfshin edhe një detyrim për themelimin e Asociacionit.

Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve, diplomatët Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, kanë thënë se ka qenë Kurti ai që nuk e ka pranuar propozimin e tyre për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Ai e ka fajësuar Lajçakun për pozicionim kundër Kosovës dhe ka thënë se Marrëveshja bazë nuk mund të zbatohet me kushtëzime.

Sipas Vuçiqit, “është e qartë se Kurti i shmanget formimit të Asociacionit”.

Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për mungesën e përparimit në këtë rund bisedimesh.

/TV Arbëria

Powered by WordPress