Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Asociacioni, sanksionet, tensionet dhe Banjska, O’Brien i drejtohet Kurtit dhe Vuçiqit

Asociacioni, sanksionet, tensionet dhe Banjska, O’Brien i drejtohet Kurtit dhe Vuçiqit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, detajet i ka ndarë në një intervistë ekskluzive në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

O’Brien ka thënë se me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin kanë biseduar për disa orë për përparimin ekonomik të Kosovës, si dhe mundësitë që Kosova të ecë më shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar në veçanti edhe integrimin e komunitetit serb në veri.

Ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë tregun e përbashkët rajonal, dhe mundësitë tjera që ka përpara për t’u zhvilluar sa më shumë në të mirë të qytetarëve.

“Jemi duke punuar bashkërisht për të ndërtuar rrugën drejt Evropës dhe rëndësinë që të ndërmerren hapa për të shmangur dhunën në veri, por edhe për të punuar drejt një të ardhmeje ku kufinjtë janë gjithmonë të hapur dhe palët mund të bashkëpunojnë. Ky është një sinjal i rëndësishëm. Kjo ishte pak a shumë thelbi i bisedës”, tha O’Brien.

Për raportet mes SHBA-së dhe Kosovës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se “here pas here kanë mospajtime, por që sipas tij, kjo ndodh mes miqve”, teksa ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë një vendim dhe se për këtë arsye lindin, me raste, mospajtimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Herë pas here kemi mospajtime, por kjo ndodh mes miqve. Duam që të kemi më shumë koordinim kur ndërmerren veprime, veçanërisht kur ato veprime mund të përfshijnë trupat e NATO-së. Gjithashtu dëshirojmë që të kemi më shumë diskutime para se të ndërmerret një veprim”, tha O’Brien në “Politiko”.

I pyetur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndihmëssekretari amerikan ka thënë se rruga përpara për të dyja palët drejt integrimeve evropiane, është vetëm duke zbatuar Marrëveshjen Bazë, të arritur mes vendeve vitin e kaluar.

Ai ka theksuar se nëse do të ketë ngecje në dialog, të dyja vendet do të humbasin mundësitë për vendin e tyre.

Zyrtari amerikan ka paralajmëruar se tani është momenti që Kosova të përcaktojë pamjen e vet, duke përmendur në veçanti tranzicionet që pritet të ndodhin.

“(Albin) Kurti e kupton që është një çast unik, për shkak se kemi të gjitha ato tranzicione që po ndodhin. Bashkimi Evropian do të ketë një komisioner të ri, pra personel të ri, i cili do të mbikëqyrë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian edhe në SHBA kemi zgjedhje, e dimë që do të kemi edhe aty një tranzicion”, ka thënë ndihmëssekretari amerikan.

Në linjë me zbatim të Marrëveshjes Bazë, O’Brien ka thënë se është edhe çështja e dërgimit të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndihmëssekretari amerikan ka theksuar se qytetarëve duhet t’iu sqarohet se Asociacioni është vetëm një platformë që komunat të shkëmbejnë përvoja, që në Evropë ekzistojnë rreth 400 asociacione të tilla, dhe që në rastin e Kosovës nuk nënkupton një nivel të ri të qeverisjes.

“Asociacionet janë shumë të zakonshme në Evropë, sa e dijmë ne, janë mbi 400 asociacione të tilla nëpër tërë Evropën. Asociacioni nuk krijon një qeverisje apo një shtresë tjetër, por është një mekanizëm për bashkërenditje”, ka thënë ai.

I pyetur për situatën në veri, zyrtari amerikan ka thënë se në vitet e fundit ka pasur përmirësime me praninë e ndërkombëtarëve në atë pjesë.

O’Brien ka thënë gjithashtu se pas Banjskës, Serbia ka tërhequr elementet e saja të dhunshme, ndërsa ka theksuar se Kombet e Bashkuara presin që Milan Radojçiq të ndiqet penalisht.

“Ajo që kemi parë është që shteti serb ka ndërmarrë veprime që dhuna të jetë më pak e mundshme. Për neve kjo është shumë e rëndësishme. Gjithashtu kemi thënë që duam të shohim zotin Radojçiq që të ndiqet penalisht. Na është premtuar që kjo do të ndodhë dhe po presim që kjo të ndodhë”, ka thënë ai.

Ndihmëssekretari amerikan ka ndarë edhe përvojën me Kosovën dhe mësimet nga sekretarja Madeleine Albright.

O’Brien ka thënë se është momenti kur vendi duhet të shfrytëzojë momentin dhe t’u ofrojë besim të gjithë qytetarëve të saj.

“Ka pasur raste kur kam kaluar javë të plota këtu. Kam parë një qytet që ka qenë i rrethuar dhe tani është bërë një qytet interesant dhe i gjallë. Mendoj se unë kam mësuar shumë nga sekretarja Albright. Kam shkuar që të punoj për të mbi një vit në 1994 dhe nuk ka përfunduar derisa ka vdekur. Kam mësuar se ka çaste që vijnë dhe duhet ose t’i shfrytëzoni ato ose historia mund të ju anashkalojë”, ka thënë O’Brien.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se dorëzimi i kryeterroristit serb, Milan Radoiçiq dhe i grupit të tij paramilitar do të nënkuptonte ligjshmëri, drejtësi, paqe dhe siguri. Këto deklarime Kurti i ka bërë në takim me ndihmëssekretarin për çështje evropiane dhe euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të hënën.

Kurti ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë është dëshmi e nevojshme e vullnetit të mirë dhe e mirëbesimit nga ana e Serbisë “për përmbushje të shpejtë dhe respektim të plotë të saj dhe të Aneksit”.

Themes by WordPress