Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Asociacioni pengon përparimin në dialog

Asociacioni pengon përparimin në dialog

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë për mungesë të progresit sa i përket zbatimit të marrëveshjes bazë dhe mos rezultateve në takimin e mbajtur midis kryenegociatorëve në Bruksel.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se Serbia ka insistuar që të flitet vetëm për Asociacionin dhe jo për planin e sekuancimit. Analistët vlerësojnë se Bashkimi Evropian po fton takime në Bruksel vetëm sa për ta mbajtur gjallë këtë proces.

Insistimi i Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin nuk ka prodhuar rezultate konkrete në zbatim të marrëveshjes bazë në takimin e mbajtur midis kryenegociatorëve. Pala serbe gjatë takimit të mbajtur të enjten ka insistuar për zbatimin e Asociacionit. Sipas kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, takimi në Bruksel ishte ftuar për zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e saj.

“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuancimit. Ndërkaq Serbia nuk ka hyrë para në këtë diskutim. Serbia dëshiron që vetëm një element të zbatohet”, ka thënë Bislimi.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka shfaqur optimizëm se mund të ketë progres në proces të dialogut. Por, sipas tij palët nuk kanë filluar ende të zbatojnë obligimet substanciale të marrëveshjes.

“Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet në subtancë.. Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh të rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm”, ka thënë Lajçak.

Ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, mos rezultatet në dialogun e Brukselit i ndërlidhë me zgjedhjet që pritet të mbahen në Kosovë. Përpjekjet e BE-së për takime në Bruksel, siç thotë, janë sa për të treguar se dialogu është ende gjallë.

“Fakti që nuk do të ketë marrëveshje deri në përfundim të zgjedhjeve tashmë është i ditur. Kjo Qeveria ka kohë që ka punuar që të mos ketë përparim në dialog derisa të mbahen zgjedhjet”, ka thënë Jashari.

Analistja politike, Arta Tahiri, vlerëson se nuk është në favor të Vetëvendosjes që të ndërmarr hapa për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin pasi vendi është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

“Pas procesit zgjedhor dhe shpalljeve të rezultateve përfundimtare dhe të dihet se kush do të qeverisë, atëherë mund të riaktivizohet çështja e marrëveshjeve dhe e Asociacionit”, ka thënë Tahiri për rtv21.

Por, sipas ligjëruesit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa për themelimin e Asociacionit mund të ketë pasoja në rrugën integruese.

“Kosova do t’i paguaj pasojat. Si pasojë e kësaj kemi edhe mosanëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka shtuar Jashari.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se Kosova dhe Serbia mund të rrezikojnë të përfitojnë nga fondi i Planit të Rritjes nëse nuk tregojnë vullnet për të ecur përpara në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.