SHKRUAN: AGRON HOTI
Kosova kaloi një vit fushatë elektorale dhe askush nga pushteti e opozita nuk e përmendi turizmin dimëror si potencial zhvillimor të vendit. Paramendoni me bjeshkë mes 1000-2000 metrash lartësi mbidetare, me potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar resorte konkurruese jo vetëm në rajon por edhe në Evropë, politika jonë (pushtet e opozitë) e korruptuar deri në fyt nuk e mori mundin që të ofrojë asgjë për ta zhvilluar turizmin dimëror.
Paramendoni, Kosova ka dy autostrada klasi që rrethojnë Bjeshkët e Sharit dhe ku me pak do të mund të ndërtoheshin rrugë ndërlidhëse e teleferiqe moderne deri në maje të bjeshkëve. Por, jo, në vend që të bëhemi qendër gravitacionale e turizmit dimëror ku do të mund të punësoheshin mijëra të rinj dhe ku industri (p.sh. ushqimore) të tëra do të ishin vënë në funksion të turizmit dimëror, ne kemi zgjedhur që të mos bëjmë asgjë derisa të na ikën edhe ajo pak rini që na ka ngelur.
Mungesa e vizionit dhe vullnetit politik për zhvillimin e turizmit dimëror është një nga dështimet më të mëdha strategjike të Kosovës. Ndërkohë që vendi ynë zotëron kushte dhe kapacitete natyrore, gjeografike dhe infrastrukturore që shumë shtete evropiane do t’i shfrytëzonin pa hezitim, ne vazhdojmë të humbim kohë në debate të kota dhe përplasje politike sterile.
Kështu, çdo vit që kalon pa investime serioze në turizmin dimëror është një vit i humbur për zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të punës dhe për mbajtjen e të rinjve në vend. Nëse kjo pasuri natyrore vazhdon të shpërfillet, atëherë përgjegjësia për stagnimin dhe emigrimin masiv nuk është e rrethanave, por e drejtpërdrejtë e klasës politike që ka zgjedhur mosveprimin në vend të zhvillimit.