Shkruan: Afrim Kasolli
Pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, si dhe Ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, presidenti i Serbisë, Aleksadanër Vuqic, ka premtuar se do t’i drejtohet kombit pas 72 orëve për gjendjen e serbëve në Kosovë. Këtë refren ai e përsëriti edhe dje, po ashtu pas takimit me shefin e BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret. Kjo shfaqje është paraparë që të mbahet sot në ora 18.
Që nga momenti kur e bëri të ditur këtë gjë nuk kanë munguar spekulimet se me çfarë kumte ai do t’i drejtohet opinionet. Si dhe çfarë vendime do t’i prezantojë. Mediat të lidhura më të kanë pohuar se po shqyrtohet opsioni për ta shpallur Kosovën si “territor të okupuar”, si dhe për të treguar masat se çka duhet të bëhet për riintegrimin e këtij territori brenda shtetit të tij. Vetë Vuciq, pas takimit me dy diplomatët e sipërpërmendur, deklaroi, se është i gatshëm të shkojë që sot në Bruksel dhe të bisedojë me Kurtin, por Serbia nuk është e gatshme dhe nuk do të lejojë pogrom dhe ndjekje të popullit serb. Ndërkohë, disa nga vartësit e tij politikë, sikur se kryeministri Millosh Vuçeviq, ka pohuar se presidenti gjatë asaj performance do t’i informojë qytetarët mbi vendimet më të reja të shtetit serb, por që megjithatë ekzistojnë shumë sfida për Kosovën.
Sidoqoftë, përkundër këtyre toneve dramatike në ora 18 do ta shohim vetëm një shfaqje të zakonshme të presidentit serb. Edhe një herë do të marr pamjen e një lideri të trishtuar për fatin e kombit të tij, veçanërisht të atyre që jetojnë në Kosovë dhe po kalojnë ditët më të vështira, por që duhet të qëndrojnë. Jehona e këngës së Kukujvakës do të jetë dominuese në atë atmosferë përdëllimi. Ai do të qahet se si është i pafuqishëm. Dhe do ta ushqejë opinionin me ndonjë teori konspirative, se si ndonjë fuqi e madhe perëndimore është prapa Kurtit dhe kundër serbëve në Kosovë, prandaj edhe shteti i tyre nuk mund të bëjë diçka më shumë
Kjo lojë tashmë është e njohur. Ngase ai është i vetëdijshëm se çdo aventurë ushtarake në Kosovë do të përbente edhe konfrontim të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Dhe është i njëjti që u ka premtuar liderëve perëndimorë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë se nuk do ta përdor forcën e Serbisë për ta destabilizuar rajonin, për çka edhe ka fituar jo pak mbështetje nga këto shtete.
Po ashtu, ai e dinë se nuk është as interes strategjik i shtetit të tij një konfrontim i tillë në këtë fazë, sidomos pas afrimit ekonomik me Gjermaninë, për shfrytëzimin e litumit, tregtisë me Francën për blerjen e aeroplanëve Rafale, marrëveshjes për tregtisë së lirë me Kinën dhe tani edhe me Izraelin. Në këtë kontekst, më shumë se kurrë ai është i interesuar ta ruajë imazhin si një faktor stabiliteti që nuk e provokon situatën, sidomos në këtë kohë kur lufta në Ukrainë po merr një kthesë dramatike , pasi Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Britania e Madhe, sipas mediave perëndimore, kanë vendosur t’i suspendojnë kufizimet mbi Ukrainën për përdorimin e armeve te tyre me rreze te gjate veprimi në thellësi te territorit rus.
Natyrisht, ky teatër i tij tragji-komik do të ketë efekte në opinionin publik. Madje, edhe në Kosovë. Shumë mbështetës të pushtetit do të mund të gjejnë satisfaksion nga vajet e tij. Sepse do ta marrin atë si konfirmim i disfatës politike dhe shtetërore të tij nw raport me Albin Kurtit. Duke harruar faktin se ai këtë disfatë e ka përjetuar në vitin 1999, pikërisht për shkak të konfrontimit me Perëndimin. Dhe se gjithë investimi i tij diplomatik është se si ta korrigjojë atë gabim. Dhe në këtë drejtim nuk është se nuk ka korrur pak rezultate.
/TV Arbëria