Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Asgjë e re nga fronti i “përbashkët” opozitar për zgjedhje të parakohshme

Asgjë e re nga fronti i “përbashkët” opozitar për zgjedhje të parakohshme

Java e kaluar përfundoi me zotimin si të pushtetit ashtu edhe të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Deklarimi i kryeministrit Kurti, se nëse opozita me të vërtetë i dëshiron zgjedhjet e parakohshme, atëherë si pushtet ata janë në gjendje t’i ndihmojnë asaj, nxiti reagimin e partive opozitare.

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, si reagim ndaj këtij provokimi nëpërmjet rrjetit të tij social i bëri thirrje të parit  të Qeverisë, që të shkohet urgjentisht në zgjedhje.“ Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam prit që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!” ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.

 

Ndërkohë, nën dritën e këtij zhvillimi, Aleanca  për Ardhmërinë e Kosovës më rastin e 3 vjetorit të Qeverisë Kurti, ka prezantuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës. Sipas komunikatës së AAK-së, Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Partie, Besnik Tahiri, ka thënë se në dokument janë prezantuar vetëm një pjesë e efekteve të qeverisë së Kosovës gjatë këtyre tri viteve, qeverisje që e ka quajtur të dobët dhe stagnuese.

 

Kurse lideri i LDK, e përfundoi javën duke lëshuar kumte nga tubimi me strukturat e kësaj partie, se LDK është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.

 

Mirëpo, sot asnjë lëvizje nuk ka ndodhur në këtë drejtim. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, në vend të dorëzimit të nënshkrimeve të deputeteve të kësaj partie për zgjedhje, ashtu siç kishte premtuar kryetari Memli Karasniqi, paska dorëzuar, kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit për themelimin e  komisionit hetimor parlamentar për kontratat një burimore. Është e drejtë e kësaj partie t’i përcaktojë prioritet. Mbase kalkulon që duhet fillimisht të hetohet kjo temë e më pastaj kur të vjen afati kushtetues të shkohet në zgjedhje.

 

Kurse Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar që edhe të trajtohet me urgjencë kërkesa e tyre , por edhe dorëheqjen e Qeverisë. Që i bie që nëse nuk ka sukses e para, atëherë Albin Kurti, të shkojë ne shtëpi me vetëdëshirë.

 

E LDK me duket ka vendosur të pres edhe pak.

 

Në këtë kontekst tema e zgjedhjeve, më mirë se asgjë tjetër e reflekton ambivalencën “psiko-emocionale” të partive politike parlamentare. Ato po e shprehin një dashuri të çuditshme ndaj asaj që po i frikohen më së shumti. /TV Arbëria/

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress