Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > As evropianët s’po merren më me ne

As evropianët s’po merren më me ne

Përderisa SHBA ka kohë që ia ka mbyllur dyert qeverisë sonë pa dhe në detyrë, bile duke mos emëruar më as ambasador të saj në Kosovë, së fundmi edhe evropianët – pavarësisht që u munduan ca – janë tërhequr tashmë dhe s’po merren fare me çorbën tonë.

Përderisa shtetet e rajonit po marrin miliona e miliarda euro nga BE, Kosova vazhdon të jetë e vetmja në Evropë nën sanksione financiare që po nxisin një shpopullim të frikshëm të vendit.

Fakti që evropianët po i përgjërohen Administratës Trump që – siç historikisht – e ka përdorur dhe po e përdor ekonominë ndërkombëtare si armë, përbën argument të mjaftueshëm se pse edhe evropianët po ia mbyllin dyert qeverisë aktuale në detyrë.

Serbia dhe Rusia tashmë ia kanë arritur plotësisht qëllimit të tyre: Kosova politikisht dhe fetarisht (përmes islamit politik) po bëhet çdo ditë e më shumë refuzuese ndaj Perëndimit të kryesuar nga SHBA. Asnjëherë më shumë sesa në 5 apo 6 vitet e fundit s’ka pasur gërshetim më të madh mes politikës dhe fesë në Kosovë e diasporë kundër Perëndimit të kryesuar nga SHBA.

Mjerisht, afro 50% e qytetarëve të Kosovës (përfshirë një pjesë në diasporë) në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë votuar kundër interesit strategjik të Kosovës, pra kundër Perëndimit, kjo si rezultat i manipulimit brutal të tyre. Pastaj, fakti që një pjesë jo e vogël në Kosovë dhe gjithnjë e në rritje edhe në diasporë dalin hapur kundër SHBA-së dhe pro Iranit që bashkë me Serbinë, Rusinë dhe Kinën e luftojnë pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, e dëshmon më së miri se sa shumë po rrëshqasim kah Lindja kundër Perëndimit të kryesuar nga SHBA.

Dhe sa më shumë që po vazhdon kjo gjendje kaotike në Kosovë, aq më shumë po realizohet ëndrra serbe e ruse për paralizimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. Në fakt Serbia e Rusia tashmë po korrin investimet e veta në politikë dhe në islam politik, përmes të cilave e kanë bërë Kosovën dhe një pjesë të diasporës sonë hapur refuzuese të Perëndimit të kryesuar nga SHBA.