Afrim Kasolli
Ka kohë që pushteti aktual është duke tentuar që cdo dështim qeverisës shndërroj në triumf të punës së tij nëpërmjet propagandës. Asgjë e jashtëzakonshme për pushtetet populiste, që janë ngritur në majat e pushtetit nëpërmjet taktikave të “post-truth-it”, e cila zhvleftëson çdo fakt.
Kësaj valleje ka kohë që i prin nëpërmjet betejës së tij virtuale ministri i Financave, Hekuran Murati, sikur rasti i djeshëm për nivelin historik të investimeve kapitale nga kjo qeveri. Qëllimi i kësaj metode është që njerëzit në vend të realitetit më shumë t’i besojnë narracionit që e ofron pushteti për të.
Ky model u aplikua edhe sot gjatë konferencës së përbashkët për media, në mes të ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe zyrtarëve të KEDS dhe KOSTT-it, lidhur me reduktimet e tmerrshme të energjisë elektrike që janë duke ndodhur anëkënd Kosovës. Dhe sipas, kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, terri që e ka kapluar vendin nuk është i rastësishëm, por rezultat i zhvillimit ekonomik. “Sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme si rezultat i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit, si rezultat i kërkesës për energji gjithnjë e në rritje”, ka pohuar ai.
Ky justifikim banal ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik. Analisti, Shenoll Muharremi në një postim në rrjetin e tij në Facebook ka argumentuar se si shpenzimet e energjisë nuk ka ndryshuar në favor të bizneseve dhe ekonomisë. Prandaj, nuk qëndron ideja se reduktimet janë pasojë e zhvillimit ekonomik. Kurse deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti, ka pohuar se duke dëgjuar këto deklarata, “ta merr mendja që zhvillimi ekonomik ndodh veç në dimër”. Katër vite në qeverisje. Asnjë kapacitet i ri energjetik nuk është ndërtuar. Projekti i gazit u anulua, i cili sot do të ishte funksional. Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara se: “nuk ka mungesë të energjisë, por ka mbingarkesë”, “mbingarkesa po vjen për shkak të zhvillimit ekonomik” etj. Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër, e jo në verë. Kur pyetet ministrja e ekonomisë për reduktimet me energji, ajo përgjigjet se i ka përcjellur ankesat e qytetarëve në KEDS, sikur të ishte zyrtare për ankesa të qytetarëve e jo ministre përgjegjëse për zhvillimin strategjik të sektorit të energjisë. Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me gaz, sot do të kishim së paku edhe 200 megavat energji për të mbuluar kërkesën e tepërt për energji, që po përdoret masivisht për ngrohje” ka shkruar Hoti
Ndërkohë, ajo që e bënte me absurde këtë tentim për shfajësim të zyrtarëve të KOSTT-it ishte dhe KEDS-it, arsyetimi i tyre i mëhershëm se këtë muaji po përballen me 30 për qind më shumë të shpenzimeve të energjisë se sa muajin e kaluar. A do të thotë kjo që Kosova ka njohur një ritëm të zhvillimit ekonomik prej 30 për qind vetëm brenda një muaji?/tvarbëria/