Gjykata Themelore në Gjilan-dega në Viti më 9 tetor 2024, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj Muhamet Idrizit, pasi që i njëjti në zyre brenda gjykatës e kishte kanosur gjyqtarin, Rafi Fazliu lidhur me kontestin pronësor që i njëjti ishe duke e gjykuar.
Gjykata në vendimin e saj ka gjetur se për të dyshuarin Muhamet Idrizi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ”Kanosje” nga neni 181 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, 1.2., pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale.
Ky dyshim i bazuar sipas gjykatës provohet fillimisht nga provat materiale dhe personale, nga raporti i policisë i datës 6 tetor 2024, pjesërisht nga deklarata e të dyshuarit Idrizi dhe nga deklarata e dëshmitarit Ali Idrizi.
Gjithashtu, gjykata ka gjetur se i pandehuri Idrizi me rastin e kryerjes së veprës penale në ditën kritike del se ka qenë në arrati për një rast tjetër dhe se nuk ka dhënë arsyetim për këtë, andaj gjykata ka gjetur se janë plotësuar kushtet për tu caktuar masa e arrestit shtëpiak.
“Po ashtu, gjykata vlerëson se plotësohet edhe kushti ligjor nga neni 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 dhe pika 1.2.1 të KPPRK-së, sepse po të lihej i lirë, ka rrezik se i pandehuri do të fshihet apo arratiset, pasi nga dita kur me bazë dyshohet se e ka kryer veprën penale e deri në ditën e arrestimit ka qenë na arrati dhe nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për këtë veprim, rrethanë kjo e mjaftueshme për të ardhur në përfundim se është plotësuar kushti ligjor”, thuhet në vendimin e gjykatës./Betimi për Drejtësi