Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Teknologji > Arsyet se pse ChatGPT-ja nuk duhet të jetë pjesë e “xhepave” tanë

Arsyet se pse ChatGPT-ja nuk duhet të jetë pjesë e “xhepave” tanë

Vëzhguesit e teknologjisë dhe “maniakët” si unë emocionohen nga mjetet e tilla si ChatGPT. Duken se janë të dedikuara për të përmirësuar jetën tonë, në mënyra të ndryshme – dhe shpresojmë të shtojnë vendet tona të punës në vend që t’i zëvendësojnë ato.

Por, në përgjithësi, publiku nuk kishte ndjenja për “revolucionin” e AI-së. Mos gaboni: inteligjenca artificiale do të ketë efekt transformues në mënyrën se si jetojmë dhe punojmë – tashmë përdoret për të hartuar dokumentet ligjore dhe për të analizuar skanimet e kancerit të mushkërive. ChatGPT­-ja ishte gjithashtu aplikacioni me rritjen më të shpejtë në histori pas lansimit. Kështu, sipas studimit të fundit të kryer nga Universiteti i Oksfordit, katër në 10 britanikë nuk kanë dëgjuar për ChatGPT-në dhe vetëm nëntë përqind e përdorin çdo javë ose më shpesh.

Mbase deri tash. Në fillim të kësaj jave, në Konferencën e Zhvilluesve të mbarë Botës – një tjetër gjë nga e cila entuziazmohen vëzhguesit e teknologjisë dhe “maniakët” si unë – Apple njoftoi se ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të sjellë ChatGPT-në në iPhone. Kjo është punë e madhe, sepse në Mbretërinë e Bashkuar Apple ka aq shumë iPhone në xhepat e njerëzve sa pothuajse të gjithë konkurrentët e tjerë së bashku. Me atë që përcaktohet e formëson edhe shoqërinë.

Megjithatë, mendoj se, të paktën, është shumë herët për ta përdorur këtë lloj teknologjie në shkallë të gjerë. Ja pse.

Teknologjia ende nuk është siç duhet
Demonstrimi i OpenAI-së i modelit të tij GPT-4o, në muajin e kaluar, ishte paraqitje e shkurtër e së ardhmes së mundshme që mund të na sjellin çetbotët multimodalë (lexo: zë, video dhe tekst të aktivizuar me AI). E treguan këtë duke përkthyer nga një gjuhë në tjetrën dhe duke biseduar me mend me një pjesëmarrës njerëzor. Por, meqë në fund të fundit ishte reklamë, është mirë të jesh skeptik: softueri ishte i panatyrshëm në fjalë, ndërsa përfaqësuesi i OpenAI-së shihej se duhej ta ndërpriste për ta marrë fjalën. Nëse, siç sugjerojnë kompanitë, kjo teknologji do të zëvendësojë ndërveprimin njerëzor në disa raste, duhet të përgatitet më mirë për kohën e duhur.

Nuk është “inteligjencë” e vërtetë – është mjet i pasaktë
Përdoruesit e mjeteve gjeneruese të AI-së, shpeshherë përpiqen të identifikojnë se me çfarë saktësisht ndërveprojnë. Njerëzit priren të antropomorfizojnë ChatGPT-në dhe mjetet e tjera të ngjashme. Në thelb, ato janë makina që përputhen me modelin e krijuar për të të kënaqur. Nuk e njohin të drejtën nga e gabuara. Sinqerisht, nuk dinë … në fakt asgjë, pasi kjo është aftësi prej mishi dhe gjaku.

Megjithatë, ende jemi të bindur për supremacinë mendore të këtyre mjeteve kur krahasohen me njerëzit, edhe kur ato ia fusin me përgjigje të pasakta dhe bëjnë gabime të tmerrshme. (Një gabim i ChatGPT-së për vendet në Afrikë që fillojnë me shkronjën K – pretendohej se nuk kishte asnjë – madje ka çoroditur rezultatet e kërkimit në Google.) Shqetësimi është se kur të gjithë që kanë iPhone, fillojnë të përdorin AI-në dhe fillojnë të mbështeten tek ajo dhe shpeshherë të besojnë në gjykimet e gabuara. Përputhja e modelit është shpeshherë e gabuar dhe AI-të mund të “halucinojnë” – d.m.th. thjesht i krijojnë gjërat.

Teknologjia ende i pasqyron paragjykimet tona
Sekreti i madh i AI-së gjeneruese është se është po aq e mirë sa janë të dhënat e saj të trajnimit – ndërsa të dhënat e saj të trajnimit janë shpeshherë të njëanshme. Shumica e modeleve të inteligjencës artificiale janë trajnuar mbi të dhënat që fshihen nga interneti, të cilat kanë boshllëqe të mëdha dhe që shpërndahen me raste kur bëhet fjalë për gjuhën, racën dhe gjininë. Përpjekjet që janë bërë për ta kundërshtuar këtë, shpeshherë rezultojnë me rezultate jo të besueshme – për shembull Gemini i Google-it, një mjet i ngjashëm i AI-së, në një kohë gjeneroi imazhet e ushtarëve të zinj gjermanë të epokës së Luftës së Dytë Botërore. Njëanshmëria dhe injoranca për historinë është problem edhe në rrethanat më të favorshme – kur piqet në teknologji të cilën shumë njerëz e mendojnë si të paanshme, sepse është e kompjuterizuar, kjo bëhet edhe më e madhe.

A na duhet vërtet kjo?
Askush nuk kërkoi që vala gjeneruese e AI-së të ndikojë në ne në nëntor të vitit 2022, pas lëshimit të ChatGPT-së, dhe shumica e njerëzve nuk kanë kërkuar që Apple t’i bashkohet garës së AI-së. ChatGPT raportoi për 100 milionë përdorues aktivë mujorë vetëm dy muaj pas fillimit, por komentet e tij nga ky vit sugjerojnë se kjo shifër nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore. Teknologjia e re revolucionare po i shton paratë e bizneseve të Luginës së Silikonit [Silicon Valley], por ka pranim të shtuar se, më shumë se kurrë më parë, ne jemi produkti dhe se të dhënat tona po përdoren.

Pra, nuk është çudi që Apple u përpoq të shpjegonte se si do t’i sigurojë të dhënat e përdoruesve, në raport me konkurrentët e vet, teksa e adopton AI-në. Strategjia e saj e kalkulimit në “re” [cloud] private do të thotë se askush, madje as vetë Apple, nuk mund të përgjojë bisedat që keni me mjetet gjeneruese të AI-së. Kjo është mënyrë një pozitive dhe bindëse për të shmangur shqetësimet. Por, vlen gjithashtu të theksohet se kjo nuk është arsyeja se pse njerëzit nuk janë regjistruar në shërbimet e AI-së në grupe. Kjo për shkakun se oreksi ka qenë i ulët.

Themes by WordPress