Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, as dje kryeministri Kurti nuk iu përgjigj ftesës së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar për aferën e rezervave shtetërore. Përkundër se atë e obligonte edhe vendimi i Gjykatës Themelore, për t’u përgjigjur në këtë ftesë, i pari i Qeverisë së Kosovës nga qyteti i Gjilanit, e akuzoi edhe një herë punën e sistemit të drejtësisë, si të motivuar politikisht. Dhe sipas tij krejt qëllimi i kësaj ftese është që t’i mbushin ballinat e portaleve të oligarkëve. Një shpërfillje e tillë u interpretua në mënyra të ndryshme. Si krijim i një precedenti të rrezikshëm ku tashmë të gjithë qytetarët e Kosovës nuk janë të barabartë para ligjit, diçka që bie në kundërshtim me frymën e sundimin e ligjit. Dhe se me këtë sjellje ai po e inkurajon anarkinë politike në vend.
E deri tek imazhi i lënduar ndërkombëtar i Kosovës, pasi dje të gjitha mediat botërore kishin si krye lajm temën se si kryeministri i Kosovës nuk i përgjigjet organeve të drejtësisë. Nuk munguan as ato opinione se me këtë sjellje ai është në kontradiktë me vetveten, pasi i njëjti në forumet ndërkombëtare nuk ka nguruar të krenohet se si vendi ynë ka bërë progres sa i përket sundimit të ligjit, prandaj me këto veprime po e diskrediton argumentin kryesor të tij. Janë përmendur edhe implikime tjera që mund të ketë kjo qasje, sepse në këtë mënyrë Kurti po e zbeh ndonjë presion të mundshëm ndërkombëtar mbi Beogradin për dorëzimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiciqit, i akuzuar për sulm dhe agresion mbi integritetin territorial të Kosovës me 24 shtator të vitit 2023, në fshatin Banjë, me që rast ra në krye të detyrës, rreshteri policor, Afrim Bunjaku. E siç dihet ekstradimi i tij pranë organeve të Kosovës është njëra nga kërkesat kryesore politike të Qeverisë për vazhdimin e dialogut me Serbinë nën lehtësimin e Brukselit, me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
Ndonëse, të gjitha këto interpretime kanë bazë, megjithatë arsyeje e vërtetë e kësaj arratisje të hapur të kryeministrit Kurti nga drejtësia, duhet kërkuar edhe në doktrinën e tij politike. Prandaj, ai në këtë rast është në pajtim të plotë me vetveten dhe në antagonizëm me segmentet juridike të shtetit. Për kryeministrin Kurti burim i vetëm normativ i drejtësisë është vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Çdo segment tjetër shtetëror që nuk buron nga ky organizim politik është sinonim i interesave private. Edhe infrastruktura e saj është mbetje e një rendi të padrejtë. Kështu me këtë kundërvënie ai po e sfidon karakterin e së parës. Dhe për pasojë pretendon se po e mbron drejtësinë popullore. Kjo trashëgimi mentale e shefit të Qeverisë së Kosovës derivon pikërisht nga karakteri që e përfaqësojnë lëvizjet politikisht. Dhe sipas filozofit të njohur italian, Giorgio Agamben në punimin e tij “Lëvizja” (Movement) është në natyrën e natyrën e tyre që të jenë anti-shtetërore dhe ta konsiderojnë vetën si burim të vetëm të përfaqësimit shoqëror, politik dhe juridik. Ato, siç ka pohuar juristi i njohur gjerman , Carl Shmitt, ndërtohen mbi skemën e njohur të triparitetit në mes popullit, lëvizjes dhe liderit.
Prandaj, edhe shtetin Albin Kurti e konsideron vetëm si instrument të kësaj skeme. Dhe në këtë drejtim ai ka mbetur konsistent që kur është bërë pjesë e jetës institucionale, me arsyetimin që po e ndërmerr këtë veprim për t’ia shtuar instrumentet institucionale të shtetit qëllimeve politikë të Lëvizjes së tij. Dhe këtë refuzim të tij ndaj sistemit të drejtësisë nuk duhet kuptuar si sjellje të një zyrtari të zakonshëm potencialisht të korruptuar, i cili mëton t’i fshihet sistemit, por si ballafaqim të hapur politik në funksion të agjendës së sipër cekur. Dhe se për këtë mision e ka mandatuar populli. Nuk ka dyshim se kjo mendësi bie në kundërshtim me traditat e shtetit ligjor dhe konstitucional. Ngase sipas kësaj të fundit, vullneti politik i popullit konstituohet mbi proceduara ligjore. Dhe nëse bie fjala parlamenti si e vetmja instancë e përfaqësimit politik dhe si instancë e miratimit të ligjeve, kompetente për interpretimin e tyre janë gjykatat të gjitha niveleve.
Prandaj, edhe të parit nuk i lejohet të miratojë ligje që i shkelin parimet kushtetuese që dominojnë në një vend. Në këtë kontekst, kjo që po ndodh aktualisht është vetëm thellim i antagonizmave ndërmjet sferës juridike të shtetit dhe lëvizjes. Kurse, mjerisht ky konflikt po ashpërsohet në një kohë tejet fragjile politike si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.