Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Eva Kaili është mes personave të arrestuar, pas dyshimeve për korrupsion në PE. Lajmin e bënë të ditur mediat greke sipas të cilave, Kaili që po hetohej si e dyshuar për një çështje të madhe korrupsioni lidhur me Botërorin e Katarit 2022 është arrestuar.
Menjëherë pas kësaj kreu i Pasok-ut, Nikos Androulakis, njëkohësisht edhe ai eurodeputet reagoi menjëherë dhe e përjashtoi atë nga radhët e partisë socialiste të Greqisë.
Siç u raportua, midis katër personave të arrestuar, ndodhet edhe bashkëshorti italian i eurodeputetes Kaili. Ishte gazeta belge, Le Soir që raportoi fillimisht se zyrtarët e Katarit ishin përpjekur të korruptonin një eurodeputet socialist italian, i cili ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri në 2019.
Hetimi kishte të bënte, ndër të tjera, për akte “korrupsioni” dhe “pastrimit të parave” në kontekstin e një grupi të organizuar, sipas njoftimit të prokurorisë. Më pas, zyra e prokurorit publik të Belgjikës njoftoi se katër persona, duke përfshirë një ish-deputet, ishin arrestuar si pjesë e një hetimi nga një gjykatës financiar.
Për muaj të tërë, hetuesit belgë “dyshonin se një vend i Gjirit po ndikonte në vendimet financiare dhe politike të Parlamentit Evropian duke paguar shuma të konsiderueshme parash ose duke ofruar dhurata të rëndësishme palëve të treta me një pozicion politik ose një pozicion të rëndësishëm strategjik” brenda këtij organi.
Sipas Le Soir, shtëpia e Kaili një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian u kontrollua vonë të premten pasdite dhe ajo u shoqërua për t’u marrë në pyetje. Pak më vonë u arrestua. E vetmja mënyrë për të arrestuar një eurodeputet që mbrohet nga imuniteti i tij është të arrestohet në flagrancë.
Tre të arrestuarit e tjerë janë Luca Visentini, Sekretar i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, ish-deputeti Pier-Antonio Panzeri si dhe F.G., ish-asistent parlamentar i zotit Panzeri, bashkëpunëtori i grupit parlamentar S&D dhe bashkëshorti i Kailit, shkruan Top chanel. Kontrollet e policisë belge u kryen në 16 shtëpi dhe u konfiskuan edhe 600000 euro.
Eva Kaili 44 vjeç, ka qenë për disa viti prezantuese e lajmeve dhe gazetare, më pas anëtare e Pasok-ut dhe eurodeputete që nga viti 2014./TV Arbëria