Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Arrestohet murgesha italiane pas dyshimeve për lidhje me rrjetin e fuqishëm mafioz

Arrestohet murgesha italiane pas dyshimeve për lidhje me rrjetin e fuqishëm mafioz

Një murgeshë ishte mes 25 personave të arrestuar në Itali me dyshimin se ishte pjesë e një bande kriminale me lidhje me rrjetin mafioz më të fuqishëm të vendit, Ndrangheta.

Murgesha dyshohet se ka qenë kanali ndërmjet bandës dhe bashkëpunëtorëve të saj në burg, thanë të enjten prokurorët në Brescia, në veri të Italisë.

Një ish-këshilltar i Brothers of Italy, partia e udhëhequr nga kryeministrja, Giorgia Meloni, dhe një ish politikan, një partner i koalicionit qeverisës, u arrestuan gjithashtu dhe më shumë se 1.8 milion euro fitime të paligjshme u sekuestruan nga policia pas bastisjeve nëpër disa qytete në rajonet e Lombardisë dhe Venetos, si dhe në Kalabrinë në jug, raporton The Guardian.

Të dyshuarit akuzohen për krime, duke përfshirë zhvatjen, trafikun e armëve dhe drogës, marrjen e mallrave të vjedhura, fajde, krime tatimore, pastrim parash dhe, në rastin e politikanit të Lidhjes, blerje votash. Politikani i Brothers of Italy dyshohet se është vënë në dispozicion të bandës “gjatë ekzekutimit të krimeve”.

Francesco Prete, kryeprokurori në Brescia, tha në një konferencë për shtyp se të dyshuarit “shfrytëzuan famën kriminale të organizatës origjinale [‘Ndrangheta]” ndërsa e përshtatnin atë në Italinë veriore, ku ata “merreshin me çështje fiskale”.

Teodoro Catananti, zëvendësprokuror, tha se banda përdori “dhunën tipike” të përdorur nga “Ndrangheta”, por “demonstroi një aftësi si kameleoni për të vazhduar me kohën”.

Murgesha u emërua në shtypin italian si Anna Donelli, 57 vjeç. Sipas Rai news, ajo ka qenë vullnetare në burgun San Vittore në Milano që nga viti 2010 dhe ka punuar gjithashtu në burgjet e Pavias dhe Romës. Në shkurt ajo ishte një nga përfitueset e “Panetonit të Artë”, një çmim vjetor qytetar milanez.

Catananti tha se ajo akuzohet “për bashkëpunim të jashtëm në një shoqatë mafioze” dhe ka shërbyer për “përcjelljen e informacionit” nga burgu në grupin kriminal.

Hetuesit thanë se “roli i saj shpirtëror” siguronte lidhjen me të burgosurit dhe i lejonte asaj të kishte “qasje të lirë në objektet e burgut”.

Themes by WordPress