Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Shqipëri > ​Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipër

​Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë në Shqipër

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte nga 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhër arresti me burg edhe për Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i Beqaj dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.

Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj).

Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqaj “në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me Ermal Kurtullajn, i emëruar nga vetë ai në qershor të vitit 2022, si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret.”

Prokuroria e Posaçme, bën të ditur se “të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjetikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakorduar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”. I gjithë dokumentacioni për garat e shpallura, është firmosur sipas prokurorëve, nga vetë Beqaj.

Ish-ministri “dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij në një restorant në zonën e Kalasë në Tiranë, qe nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15 për qind në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un”.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet që zoti Beqaj “të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtullajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore”.

Ish-ministri rezulton po ashtu që të ketë fshehur dhe blerjen e një automjeti në vitin 2019, duke e vënë atë në emrin e Kurtullajt.

SASPAC, është një strukturë në varësi të kryeministrit, i cili ja besoi drejtimin zotit Beqaj, pavarësisht dyshimeve që ishin ngritur ndaj tij për proceset e koncensioneve në Shëndetësi, duke ngjallur dhe pakënaqësinë e përfaqësuesve më të rëndësishëm ndërkombëtar në vend.

Në nëntor të vitit 2021, ambasadorja amerikane Yuri Kim e më pas dhe ai i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Soreca, u larguan në mënyrë demonstrative, gjatë një konference, në momentin që Beqaj mori fjalën.

Në nëntor 2023, Beqaj dha dorëheqjen nga drejtimi i SASPAC-ut, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për rastin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Më herët, në dhjetor të vitit të kaluar autoritetet e Drejtësisë ushtruan kontroll në banesën e Beqaj, në kuadër të hetimit të ri që po kryhej për abuzimet me fondet e programit Eusair (Strategjia e BE-së për rajonin Adriatiko-Ionian). /VoA

Themes by WordPress