Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Arrestohet 49-vjeçari në Leposaviq, i kapur me arsenal armësh dhe uniforma të policisë serbe

Arrestohet 49-vjeçari në Leposaviq, i kapur me arsenal armësh dhe uniforma të policisë serbe

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në fshatin Mekiniq të Leposaviqit, pasi në shtëpinë e tij janë gjetur armë të ndryshme, municion, uniforma të policisë serbe dhe pajisje të tjera të dyshimta. Aksioni i policisë u realizua pas një denoncimi nga bashkëshortja e të dyshuarit.

Sipas njoftimit të Policisë, një grua kishte raportuar se ishte kanosur nga bashkëshorti i saj, duke shtuar se ai posedonte armë. Pas kontaktit me policinë, i dyshuari e ka pranuar posedimin e armëve.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka konfiskuar: tre pushkë automatike AK-47, një pushkë ajrore, një revole, një shkrepës në formë të revoles, 55 fishekë, një bajonetë, dy thika, pesë karikatorë për AK-47, një karikator për revole, një këllëf për revole, një jakne ushtarake dhe dy këmisha të policisë së Serbisë.

Policia bëri të ditur se ndaj të dyshuarit, S.T., 49 vjeç, ekzistonte një urdhër mbrojtës aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i vlefshëm deri më 15 tetor 2025, për një rast të mëparshëm dhune në familje.

Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprat penale “kanosje”, “mospërfillja e urdhrit të gjykatës” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjatë kontrollit, babai i të dyshuarit, N.T., 70 vjeç, ka deklaruar se një pushkë AK-47, pushka ajrore, bajoneta dhe uniforma janë në pronësi të tij. Edhe ndaj tij është iniciuar rasti për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, por ai është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.