Policia e Kosovës ka arrestuar tre burra në qytetet Prizren dhe Obiliq, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, duke shkarkuar dhe shpërndarë materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Në kuadër të operacionit hetimor, janë kontrolluar tri lokacione të personave të dyshuar, ku si prova materiale janë sekuestruar katër telefona celularë, katër kompjuterë dhe një tablet.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Hetimet në këtë rast vazhdojnë, ndërsa autoritetet theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit qytetar për parandalimin dhe raportimin e rasteve të tilla.