Policia ka njoftuar se katër persona janë arrestuar të enjten në Prishtinë dhe Mitrovicë nën dyshimin se kanë keqpërdorur kartela bankare të njerëzve të tjerë, duke bërë transaksione dhe blerje të gjësendeve të ndryshme online.
“Të dyshuarit fillimisht përmes formave të ndryshme kanë arritur të sigurojnë të dhëna elektronike të kartelave bankare, duke përdorur pajisje dhe programe specifike kompjuterike kanë bërë edhe klonimin e kartelave bankare dhe pastaj të njëjtat i kanë përdorur për shërbime të ndryshme, kryesisht Online dhe fizike”, thuhet në njoftim të Policisë.
Gjatë arrestimit të katër personave të dyshuar në lokacione të ndryshme, janë sekuestruar edhe:
dy kompjuterë,
rreth 10,000.00 (dhjetëmijë) euro në valuta të ndryshme,
tetë telefona mobilë,
tri vetura,
një motoçikletë,
pajisje për klonim të kartelave bankare,
kartela të zbrazëta për qëllim të klonimit, si dhe dokumente relevante që ndërlidhen me veprën penale.
Tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt.