Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arrestohen dy vëllezërit e dyshuar për vrasjen e rëndë në tentativë në Pejë, ishin në kërkim që nga 12 korriku

Arrestohen dy vëllezërit e dyshuar për vrasjen e rëndë në tentativë në Pejë, ishin në kërkim që nga 12 korriku

Dy vëllezërit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, Adem dhe Besnik Bulliqi, të cilët ishin në kërkim pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ janë arrestuar mbrëmë nga Drejtoria Rajonale në Pejë.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se hetuesit pas një pune intensive kanë arritur që të lokalizojnë vendndodhjen e dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se u përfshinë në rastin e rëndë që ka ndodhur më 12 korrik në Pejë.

Sipas Policisë, pas arrestimit vëllezërit Bulliqi janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor ndaj tyre pritet të parashtrohet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kujtojmë se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotografisë dhe shënimeve tjera të personave të kërkuar, me autorizim të Prokurorisë kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për t’i arrestuar dy të dyshuarit.