Policia e Tiranës ka arrestuar 2 protestues, Onori Peçi dhe Artemida Islamaj, si dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 30 të tjerë, pasi i akuzon se hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar të enjten pranë Parlamentit, raporton A2 CNN. Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie. 6 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 32 shtetas që dyshohet se kanë kryer këto veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plasmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.