Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së, eksperti i sigurisë: Serbia i përdor si mjet presioni politik ndaj Kosovës

Arrestimi i pjesëtarëve të UÇK-së, eksperti i sigurisë: Serbia i përdor si mjet presioni politik ndaj Kosovës

Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka komentuar për TV Arbëria situatën e fundit lidhur me arrestimet e pjesëtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe, duke e konsideruar këtë si vazhdimësi të luftës hibride serbe ndaj Republikës së Kosovës.

Serbia vazhdon me arrestime të njëpasnjëshme të pjesëtarëve të UÇK-së, duke pretenduar se kanë kryer krime lufte gjatë viteve 1998-1999. Serbia në vazhdimësi me narrativen e saj po tenton që para popullit të vet dhe faktorit ndërkombëtar UÇK-në ta paraqesë si organizatë terroriste, kinse ka kryer krime lufte”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se qëllimi i arrestimeve është presioni politik ndaj Kosovës.

Këto arrestime Serbia po tenton t’i përdorë si mjet presioni politik ndaj Kosovës, rrjedhimisht arrestimet e tilla janë pjesë e strategjisë edhe për konsum të brendshëm politik në vet shtetin serb. Arrestimet e qytetarëve kosovar sipas tyre ndodhin me arsyetimin kinse për trafikim armësh, organizim kriminal, dhe terrorizëm, e që në fakt mendoj se Serbia po bën hakmarrje politike dhe luftë speciale për humbjet që i ka në raport me Kosovën”.

Berisha shtoi se këto veprime janë pjesë e strategjisë serbe për destabilizimin e vendit.

“Përveç kësaj, mendoj se Serbia arrestimet e tilla i ka në strategjinë e saj për të destabilizuar Kosovën me mundësi për të fituar avantazh në qarqet ndërkombëtare”.

Ai kritikoi edhe mosveprimin e faktorit ndërkombëtar.

“Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar shumë herë për rrezikun e madh që i pret ish-luftëtarët nëse ata udhëtojnë nëpër Serbi. Andaj personalisht me habit fakti pse pjesëtarët e UÇK-së dhe Policisë së Kosovës e nënvlerësojnë situatën politike në mes të dy shteteve, kur dihet se tani më është dëshmuar se Serbia në vazhdimësi po arreston kosovarët pa dhënë detaje e as llogari madje as para faktorit ndërkombëtar”.

Eksperti shtoi se faktori ndërkombëtar nuk ka monitoruar si duhet arrestimet.

“Fakti i dytë që na habit të gjithëve, ka të bëjë me mos monitorimin e këtyre arrestimeve arbitrare nga faktori ndërkombëtar, njëherit neglizhenca e tyre për mos presion të duhur në zbatimin e ligjit ndaj të arrestuarve nga Kosova”.

Berisha përfundoi me një këshillë për qytetarët.

“Arrestime të tilla nga autoritet serbe sigurisht që do të ketë, meqë Serbia posedon listën e zgjeruar të pjesëtarëve të UÇK-së, andaj duhet zbatuar mesazhi nga institucionet e Kosovës për të mos rrugëtuar nëpër shtetin serb, por të shfrytëzohen shtete dhe rrugë tjera në mënyrë që të mos arrestohen qytetarët e Republikës së Kosovës”.