Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arrestimet pas protestës, Alizoti: Regjimet pa politikë prodhojnë polici

Arrestimet pas protestës, Alizoti: Regjimet pa politikë prodhojnë polici

Dega e Partisë Demokratike në Elbasan ka reaguar përpara Drejtorisë së Policisë së këtij qarku në lidhje me arrestimet dhe procedimet pas protestës mbrëmjen së martës ku u bllokua rrethrrotullimi i Shijonit dhe duke penguar qarkullimin e mjeteve.

Sipas njoftimit të policisë, ka nisur procedim në gjendje të lirë për 20 persona mes të cilëve edhe tre deputetë të PD, Qani Xhafa, Tomorr Alizoti dhe Edmond Spaho, shkruan A2.

Janë arrestuar tre persona, ndërsa janë shpallur në kërkim tre të tjerë si dhe bllokuar një automjet. Këto veprime të policisë janë cilësuar nga drejtuesi i degës lokale të PD në Elbasan, si shkelje e të drejtave të njeriut që nënkupton vendosjen e një junte politike në vend.

Ndërsa për deputetin Tomorr Alizoti, regjimet që nuk prodhojnë dot politikë, prodhojnë polici.

“Ne do t’i sfidojmë. Drejtori i Policisë, Ministri i Brendshëm, a na thoni dot kush janë bandat e Elbasanit, se do t’i themi ne? Ju nuk e dini se familja Pojani ka marrë pjesë në revoltën e Spaçit, revolta më e madhe në epokën antikomuniste, kanë guxuar të heqin flamurin e Enver Hoxhës me yll kur ai ishte gjallë. Kështu që nuk e trembin dot këta lafarakët. Unë ju falënderoj dhe u kërkoj demokratëve, rezistoni. Kur regjimet janë të frikësuara, bëjnë presion kur regjimet nuk kanë më politikë, prodhojnë polici dhe kur dhuna është prezente, shteti është në kulmin e tij të dobësisë”, tha Alizoti.

Deputetë të PD të proceduar në gjendje të lirë si dhe persona të arrestuar ka patur edhe nga policitë e qarqeve të tjera ku opozita organizoi protestën si formë të mosbindjes civile.

Powered by WordPress