Mesditën e 12 shtatorit do të mbahet një prej marshimeve më të mëdha në Kosovë.
Me një qëllim të vetëm, ashtu siç edhe është emërtuar, “Marshi për Liri” synon të shprehë mbështetjen për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe që janë pranë verdiktit përfundimtar.
Këtë marsh e kanë mbështetur parti politike, figura të artit dhe televizionit, si dhe organizata të ndryshme.
Megjithatë, një organizatë politike nuk ka folur asnjë fjalë për këtë marsh. Lëvizja Vetëvendosje të Albin Kurtit, parti që aktualisht udhëheq ekzekutivin në Kosovë.
E njëjta. Asnjëherë, në asnjë marsh apo organizim në mbrojtje të ish-krerëve, nuk kanë dalë zyrtarisht në mbrojtje.
Kujtojmë se ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përkrahur “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet në Prishtinë më 12 shtator, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte.
Haradinaj i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë marsh.
“Më 12 shtator, të gjithë bashkë në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë! Në përkrahje të çlirimtarëve. Në përkrahje të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Po ashtu, edhe Fatmir Limaj ka dalë me mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka ftuar shqiptarët nga të gjitha trojet që t’i bashkohen “Marshit për Liri”.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, shqiptarë nga të gjitha trojet, kudo që jeni, ju ftoj që t’i bashkoheni marshimit, protestës, më 12 shtator, në orën 14:00, në Prishtinë, në mbështetje dhe në pritje të lirimit të çlirimtarëve tanë të cilët po mbahen në Hagë”, kishte thënë Limaj në një video-adresim të publikuar në Facebook.
Përpos figurave politike, edhe Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvi Dodë Gjergji kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë marsh.
Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe organizata të shoqërisë civile dhe organizata sportive në Kosovë.
“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator, me fillim nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.