Policia e Kosovës në Rahovec ka ndërmarrë sot (7 tetor 2025) një aksion të suksesshëm pas publikimit të dy videove në rrjete sociale, ku shiheshin persona duke përdorur armë zjarri në mënyrë të paautorizuar.
Në rastin e parë, një i mitur ishte kapur në video duke shtënë me armë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Qifllak – Rahovec, policia ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municionesh, përfshirë: 3 armë të gjata, 1 pistoletë me dy karikatorë, 207 fishekë të llojeve të ndryshme, 9 gëzhoja kalibër 9mm.
Në rastin e dytë, një person i moshës madhore ishte filmuar duke përdorur një armë të dyshuar të llojit pistoletë. Policia ka identifikuar dhe kontrolluar shtëpinë e tij në fshatin Fortesë – Rahovec, ku janë sekuestruar: 2 pistoleta, 1 karikator.
Sipas Policisë, veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
I dyshuari i mitur është ndalur për 24 orë, ndërsa personi i dytë është liruar në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.