SHKRUAN: AGRON HOTI
Amerika e ka arritur misionin e saj në Evropë. Nga 1945 e deri me sot e ka frenuar BRSS-në deri në 1991 dhe Rusinë deri në 2026 që ta pushtojnë Evropën për të dalë të lira pastaj në Oqeanin Atlantik, nga ku do të mund ta cenonin sigurinë nacionale të SHBA-së. Fakti që Rusia është frenuar në Ukrainë, tregon që ajo nuk ka më kapacitete për ta pushtuar Evropën.
Derisa Evropa po i rrit shpenzimet ushtarake duke projektuar kështu forcë të mjaftueshme për frenim të Rusisë, atëherë edhe prezenca ushtarake amerikane në Evropë do të shkojë gradualisht duke u zvogëluar. Edhe vetë krijimi i ushtrisë së Kosovës nga amerikanët në 2018 ishte në linjë me projeksionet amerikane që Evropa, përfshirë Kosovën, të marrë më shumë përgjegjësi ushtarake për ta mbrojtur vetveten.
Se a është retorika e duhur kjo e Kryetarit Trump apo jo, nuk ka fort rëndësi. Botërisht dihet që Amerika udhëhiqet nga institucionet e sigurisë dhe se Kryetari i saj nuk është figura më e fuqishme aty. Me rëndësi është fakti që Rusia nuk ka më kapacitete për të rrezikuar ndonjë pushtim të Evropës. Ky është lajmi i mirë për shqiptarët dhe Evropën.
Sigurisht që Amerika do të vazhdojë ta kontrollojë Oqeanin Atlantik përmes flotës së fuqishme detare si dhe do ta mbajë njërin sy në Evropë për çfarëdo eventualiteti. Përqendrimi i SHBA-së do të jetë tash e tutje në Indo-Pacifik, ku është zhvendosur epiqendra e zhvillimit global. Prandaj, tërheqja e ushtarëve amerikanë nga Gjermania është në linjë me Strategjinë e Sigurisë së SHBA-së 2025.
Asgjë e papritur.