Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, reagoi në përvjetorin e dhjetë të heqjes së lapidarit të UÇPMB-së duke thënë se 20 janari i vitit 2013 ishte një ditë e kobshme për Luginën.
“Sot 10 vite, mëngjesi i 20 janarit ishte ditë e kobshme për Luginën e Preshevës. Më 20 janar, përmes forcave serbe të armatosura, simboli i luftës së djemve tanë u vodh padrejtësisht, duke lënë vragë të thellë tek çdo shqiptarë në Luginën e Preshevës”, tha ai.
Ai tha se vijojnë të nderojnë të gjithë trimat duke iu përkulur veprës së tyre.
“Si një rrëfim i trishtë për plot 10 vite, edhe pse nuk është aty ku i takon, ne vazhdojmë e nderojmë vendin ku qëndronte plot krenari një lapidar me emra e mbiemra të trimave që nuk vdiqën kurrë. Vazhdojmë përulemi para veprës së luftëtarëve tanë çlirimtarë dhe si gjithmonë ata jetojnë në zemrat tona”, përfundoi Arifi.
/TV Arbëria