Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arifi: Me mospërjashtimin e Kosovës nga fondet e BE-së Brukseli do ta mbulonte trupin që e ka bërë me sanksionimin e saj

Arifi: Me mospërjashtimin e Kosovës nga fondet e BE-së Brukseli do ta mbulonte trupin që e ka bërë me sanksionimin e saj

Sipas të gjitha gjasave Kosova nuk do të përjashtohet nga fondet e BE-së mbi planin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Deri tani, zyrtarë kryesor të BE-së kanë deklaruar se Kosova e Serbia munden të përfitojnë nga ky fond, me kusht që dëshmojnë progres në zbatimin e marrëveshjes bazike dhe marrëveshjes së Ohrit.

Në njërën anë BE-ja e kritikon Kosovën se nuk ka bërë progres në zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe as sanksionet nuk hiqen ndaj saj.

Lidhur me këtë çështje njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi për TV Arbëria tha se, Kosova nuk do të përjashtohet nga plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor sepse kjo do të ishte kundër vlerave në të cilat beson vetë Bashkimi Evropian.

Arifi deklaroi se, me mospërjashtimin e Kosovës Bashkimi Evropian do ta mbulonte turpin që e ka bërë me sanksionimin e Kosovës, ku sipas vlerësimit të tij, BE-ja nuk do ta sanksiononte as Kosovën në këtë fond, por kjo ka ndodhur për shkak të qeverisë së Kosovës.

“Po besoj që Kosova nuk do të përjashtohet nga plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor sepse njëfarë forme kjo do të ishte një lloj kundër vlerave në të cilat beson vetë Bashkimi Evropian. Pra, në njëfarë mënyre me mospërjashtimin e Kosovës Bashkimi Evropian do ta mbulonte turpin që e ka bërë me sanksionimin e Kosovës, për mospasje akses në këto fonde dhe në njëfarë mënyre krijimi i një balanci që me mossanksionimin e Serbisë, po e themi shkurtimisht BE-ja nuk do ta sanksionojë as Kosovën në këtë fond, njëfarë mënyre po krijon ta krijon një balanc në këtë pikë e cila nuk do të duhej as të ndodhte sanksionimi i Kosovës por ja që ka ndodhur, dhe duhet kuptuar që pse ka ndodhur sanksionimi i Kosovës është për shkak të qeverisë së Kosovës normalisht sepse nuk ka pasur njohuri apo po themi gabime më shumë në komunikim”, është shprehur ai.

Arifi potencon se gabimi i qeverisë së Kosovës ka qenë moskomunikimi i duhur.

“Gabimi i vetëm i qeverisë së Kosovës ka qenë që moskomunikimi i duhur dhe në kohën e duhur ka bërë që Kosova të duket vendi më problematik”, tha ai.

Mes tjerash, ai konstaton se në aneksin e Ohrit shkruan që të dyja vendet nuk do të kenë akses në fondet e BE-së nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen, dhe sipas njohësit po vërehet se ka një ndryshim në politikën e BE-së.

“është e vërtetë që në aneksin e Ohrit shkruan që të dyja vendet nuk do të kenë akses në fondet e Bashkimit Evropian nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen, por po vërehet se ka një ndryshim në politikën e BE-së që do t’i japin akses Kosovës dhe Serbisë në fonde e BE-së duke shpresuar që këto fonde është edhe njëfarë joshje e politikës së butë pra e karrotës që këto vende ndoshta do të lëvizin nga pika A në pikën B pra duke e normalizuar raportet ngadaë dhe duke zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tash“, deklaroi Arifi.

Më tej, Arifi e quan absurditet në vete qortimin dhe sanksionimin e Kosovës nga Bashkimi Evropian, sepse sipas tij nuk është vetëm shteti i Kosovës që nuk po e zbaton marrëveshjen.

“Bashkimi Evropian në këtë pikë sa i përket qortimit të Kosovës dhe sanskionimit të saj pak është absurditet në veti sepse nuk është që vetëm Kosova nuk po e zbaton marrëveshjen, por asnjëra palë nuk po e zbaton, pra për këtë po besoj që ky është një ndryshim thelbësor i politikës së BE-së që njëfarë mënyre të dyja vendet të kyçen në rrjedhën e integrimit Evropian që më pas me kohën ndoshta do të lëvizin nga qëndrimet aktuale, por ajo që mendoj se ku po gabon qeveria e Kosovës është që po e lidh fatin dhe të ardhmen tonë me fatin e Serbisë dhe kjo është politikë e gabuar që nuk na zhvillon neve, sepse Kosova është më mbrapa se secili vend i Ballkanit Perëndimor sa i përket integrimit në BE, kështu që ne këtë narrativ duhte ta ndryshojmë, pra të kërkojmë dialog drejtëpërdrejtë me BE-në, pra çka nëse e bëjmë këtë dhe ku do të arrijmë, kjo do të ishte politika më e zgjuar të cilën qeveria e Kosovës nuk po e bën”, përfundoi ai për TV Arbëria.