Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ardita Shkodra: Vrasja e Shaban Manajt nuk ishte politike, por çështje morali

Ardita Shkodra: Vrasja e Shaban Manajt nuk ishte politike, por çështje morali

Publicistja Ardita Shkodra ka reaguar përmes një shkrimi publik lidhur me vrasjet e pasluftës në Kosovë, duke trajtuar rastin e ish-zyrtarit të LDK-së, Shaban Manaj, për të cilin ajo pretendon se nuk ishte vrasje me motive politike.

Sipas Shkodrës, Shaban Manaj, pjesëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ishte vrarë më 23 korrik të vitit 2000, ndërsa motivet e vrasjes, sipas saj, lidhen me çështje morale dhe jo politike. Ajo pohon se i dyshuari kryesor për rastin kishte qenë Mark Oroshi, aktivist i LDK-së dhe shofer i udhëheqësve të kësaj partie në zonën e Klinës dhe Istogut.

Në shkrimin e saj, Shkodra thekson se Manaj ishte rrëmbyer fillimisht në fshatin Grebnik dhe më pas ishte vrarë. Ajo shton se Oroshi, pasi ishte arrestuar, kishte deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tij ishte i montuar dhe kishte përmendur bashkëshorten e tij si dëshmitare të fshehtë në atë kohë.

Sipas saj, pas 17 muajsh në burg, Oroshi ishte liruar, por më vonë ishte vrarë në oborrin e shtëpisë së tij me mbi tridhjetë plumba, ngjarje që ajo e cilëson si “qërim hesapesh”.

Në reagimin e saj, Shkodra përmend gjithashtu pretendime se inteligjenca amerikane nuk ka gjetur përfshirje të ish-udhëheqësit politik Hashim Thaçi në vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, duke shtuar se, sipas saj, këto akuza janë përdorur për dëmtim politik.

Ajo thekson se një pjesë e vrasjeve të pasluftës, sipas pretendimeve të saj, janë kryer nga shërbimet serbe me qëllim nxitjen e përçarjeve ndërmjet shqiptarëve, duke përmendur si rast edhe vrasjen e Enver Malokut.

Shkodra pohon se disa raste të vrasjeve të pasluftës paraqiten si të pazgjidhura, ndonëse, sipas saj, ekzistojnë persona të dënuar me vendime të formës së prerë për disa prej tyre. Ajo paralajmëron publikimin e detajeve të tjera për raste të ndryshme në ditët në vijim.

Në fund të reagimit, autorja thekson se vrasjet e zyrtarëve të LDK-së nuk janë pjesë e juridiksionit të Gjykatës Speciale, duke sqaruar se aktakuza e kësaj gjykate përfshin periudhën mars 1998 – shtator 1999.

Shkodra përfundon duke theksuar se, sipas saj, heshtja për shumë raste është ruajtur për hir të unitetit, por tani ka ardhur koha që të flitet publikisht për to.