Ardita Shkodra ka publikuar një dokument që, sipas saj, paraqet aktgjykimin e një gjykate ushtarake kroate ndaj Ahmet Krasniqit, ku thuhet se ai ishte shpallur fajtor për “shërbim në ushtrinë armike”.
Sipas dokumentit të publikuar, Krasniqi, i cili përshkruhet si nënkolonel i të ashtuquajturës JNA, më 29 nëntor 1991 iu bashkua shërbimit në JNA dhe qëndroi aty deri në mesin e qershorit 1992. Në aktgjykim pretendohet se gjatë kësaj periudhe ai mori pjesë në luftimet në Baranjë.
Në dokument thuhet se vepra penale ishte paraparë dhe dënohej sipas nenit 119 të Kodit Penal të Kroacisë, ndërsa ndaj Krasniqit ishte shqiptuar dënimi prej dy vjetësh burgim.
Sipas aktgjykimit, në dënim do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 23 korriku 1992, ndërsa shpenzimet e procedurës penale do të mbuloheshin nga buxheti i gjykatës.
Në fund të dokumentit thuhet se këshilli gjyqësor kishte vendosur edhe për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Shkodra e ka paraqitur dokumentin si dëshmi për dënimin e Ahmet Krasniqit nga drejtësia kroate.