Ish-deputeti Ardian Kastrati ka shpërthyer me akuza të forta në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderëve opozitarë, duke i quajtur këta të fundit “bashkëpunëtorë lojalë të Kurtit” në bllokimin institucional që po kalon vendi. Deklaratat e Kastratit u bënë gjatë emisionit Arb Debat në televizionin Arbëria TV.
“Burimi i krizës është te Albin Kurti, posepo se ai ka qenë bllokuesi në numër 1 në raport me institucionet e vendit dhe ai është shantazhuesi numër 1 në raport me objektivat strategjike në planin ndërkombëtar,” ka deklaruar Kastrati, duke shtuar më tej se:
“…pas kaq shumë muajsh dhe kësaj loje politike, unë mundem të them se veçse kemi një pakt ose një koalicion mes opozitës dhe Albin Kurtit për mos me i themelu institucionet.”
Ai nuk kurseu as kritikat për krerët e partive opozitare, duke i përmendur me emra.
“Posepo Albin Kurti është fajtori numër njo, po sidomos edhe me këta që kam qenë bashkë – Memli, Urani – janë bashkëpunëtor loyal të Albin Kurtit në këtë bllokadë.”
Për Uran Ismailin, Kastrati tha se ai nuk ka bërë opozitë për katër vite dhe se është marrë me “bizneset e veta në Prishtinë”.
“Si për shembull Uran Ismaili katër vite nuk ka bo opozitë, katër vite nuk ka reagu për këtë vend ku kemi qenë edhe buzë luftës, ndoshta në veri ka pas situata tensionuese jashtëzakonshme në Kuvend, ai ka flejt, ai është marrë me bizneset e veta këtu në Prishtinë, e tash pas katër viteve zgjohet nga gjumi edhe thotë se tash unë po du me u bo kryetar i Prishtinës.”
Sipas Kastratit, liderët opozitarë janë “të dorëzuar para Albin Kurtit” dhe nuk kanë pasur asnjë qëndrim të fortë në Kuvend.
“Katër vite në parlament këta kurrë s’kanë bërë betejë, këta janë të dorëzu para Albin Kurtit, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Lumir Abdixhiku këta rrinë me ni kam, siç thotë populli, me bo koalicion me Albin Kurtin, po tash varet ai a i merr a si merr.”
Kritikat e tij shkuan edhe më larg, me akuza të rënda ndaj Kurtit:
“Për mu Albin Kurti është një ndër më antishqiptarët më të mdhajë, një njeri që siç duket e ka për mision shkatërrimin e këtij vendi dhe është brenda agjendave serbo-ruse, unë nuk e kam asnjë dyshim për këtë çështje sepse shifeni se çka ka ndodhë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Në përfundim, ai u shpreh pesimist për ndërrimin e pushtetit, përderisa opozita mbetet, sipas tij, kaq e dobët:
“Pavarësisht keqqeverisjes, qeverisë mafioze, korrupsionit, sa të është Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Lumir Abdixhiku – edhe 1 mijë vjet Albin Kurti me krejt qeto afera korruptive.”