Në Komisionin për Shëndetësi ka raportuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vitia është pyetur nga deputetët e opozitës për pagën që e ka marrë në institucionin privat shëndetësor, “Olive”, para se të emërohej për herë të tretë në pozitën e ministrit të shëndetësisë.
Vitia para deputetëve ka sqaruar se në “Olive” ka qenë koordinator i cilësisë dhe se pagë për këtë punë ka marrë 3.500 euro bruto.
“Pozita ime ka qenë koordinator i cilësisë. Paga ime ka qenë 3.500 Euro bruto. Ju keni thënë se paga ka qenë mbi 5 mijë euro”- ka deklaruar Vitia, duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
Vitia, po ashtu, ka treguar se gruaja e tij është e punësuar në këtë spital.
Ministri tutje u shpreh se është fakt që ka punuar gjashtë muaj në një institucionin shëndetësor privat, dhe se lënda e tij është dërguar në agjencinë antikorrupsion, ndërsa theksoi është njoftuar që nuk kanë gjetur asnjë konflikt interesi në lidhje me pozicionin e tij në atë institucion. /TV Arbëria