Profesori i komunikimit, Arben Fetoshi, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar se reagimet e autoriteteve serbe janë pjesë e një strategjie komunikimi për të relativizuar projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Përmes një analize, Fetoshi thotë se Serbia po e paraqet vizitën e Begajt si një kërcënim për integritetin territorial të saj, me qëllim që, sipas tij, të shmangë vëmendjen nga diskriminimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai thekson se mesazhet e presidentit Begaj kanë qenë të përqendruara në mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, ndërsa pretendon se ato janë deformuar në diskursin politik serb për t’u paraqitur si pjesë e një projekti ekspansionist.
Sipas Fetoshit, kjo retorikë synon të krijojë një simetri të rreme mes interesimit të Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve dhe projektit të “Botës Serbe”, të cilin ai e cilëson si një projekt hegjemonist.