SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
Kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për 180 vjet burgim ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kulmon absurdin e një farse të “drejtësisë” së politizuar dhe padrejtësinë brutale të qasjes ndërkombëtare.
Nga pretendimet monstruoze për trafikim organesh (2011) dhe konstruksioni tashmë i dështuar i aktakuzës për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” (2020), e deri më sot në fjalën përmbyllëse, janë ndërruar tre prokurorë (i pari vazhdon të hetohet në SHBA për keqpërdorim politik të drejtësisë), kryetarja e Gjykatës ka mbetur në “pritje” që nga emërimi (2016), ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, e kanë kryer “dënimin”, me vitin e gjashtë në paraburgim.
Në vend të tërheqjes nga akuzat dhe “kontributi” i Serbisë në dyshimet ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Specializuar kërkoi dënime drakonike ndaj secilit, duke vërtetuar se procesi ka qenë një “recetë e shpikur” për kriminalizimin e UÇK-së dhe për relativizimin e krimeve të Serbisë.
Sepse, aktakuza nuk i ngarkonte të katërtit njësoj, prandaj si të shpjegohet kërkesa për dënim të njëjtë? Apo, liderët e UÇK-së “duhet” të dënohen, në mënyrë që arkitektët e gjenocidit të “amnistohen”?
Lufta për LIRI është vetëdija më e lartë kundër padrejtësisë, e luftëtarët e UÇK-së e kanë dëshmuar para botës (me UNMIK-un, EULEX-in dhe tash) qëllimin e tyre: liri, për ta bërë të mundur DREJTËSINË.
Historia nuk mund të rishkruhet në sallat e Hagës, nga prokurorë të stërzgjatur për hir të pagave dhe mëditjeve.
Sidoqoftë, dështimi i tyre duhet të “presë” gjykimin profesional e të paanshëm të “provave” të fabrikuara.
Deri atëherë, qytetarët, institucionet, partitë politike, organizata të ndryshme, sportistë e artistë, të bashkohen nën sloganin “DREJTËSI, JO POLITIKË”, për një mesazh të qartë, përtej dallimeve, me qetësi dhe dinjitet.