Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arben Fetoshi: PASQYRA E AGRESORIT

Arben Fetoshi: PASQYRA E AGRESORIT

SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
(Pse Serbia e fabrikon ‘rrezikun’ në Prishtinë)
Narrativa për “agresionin e NATO-s” dikur dhe për “rrezikun” aktual nga aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci, rafinohet më tutje me anashkalimin e dy anëtarëve të NATO-s dhe alarmin se “Prishtina është duke pritur sinjalin për fillimin e agresionit” kundër saj.
Duke e kornizuar forcimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së si “militarizim të kryer prej vitesh nga Rexhep Tajip Erdogan”, gazetari i “Politikës”, Dejan Spaloviq konkludon se “po përgatiten veprime ofensive kur ta marrin ‘dritën e gjelbër’ dhe kur ta lejojnë rrethanat ndërkombëtare”.
Ai “bazohet” në marrëveshjen e bashkëpunimit financiar ushtarak (Telegrafi, 05.05.2026), si vazhdim të marrëveshjes kornizë (Anadolu Ajansi, 02.04.2024) që ka mundësuar investimet strategjike, marrëveshjet e tjera dypalëshe (por pa i specifikuar), pjesëmarrjen e FSK-së në misione ndërkombëtare dhe rritjen e buxhetit ushtarak, duke i etiketuar si “kërcënim në rritje për paqen”.
E din që analiza e tij s’ka asnjë bazë, por qëllimet politike ia kërkojnë një interpretim të tillë.
Si produkti më i ri i strategjisë së “viktimizimit”, alarmi i Spaloviqit ka për qëllim ta devijojë të vërtetën e Kosovës së pavarur, ta kamuflojë militarizimin e Serbisë (kryesisht nga Rusia e Kina) dhe të nxisë mobilizimin nacionalist të opinionit.
Jashtë kornizës së kahershme kundër NATO-s, të plotësuar ndërkohë me “rrezikun” nga “rrethimi i Serbisë”, qasja e tij do të reflektonte thjesht dëshpërim.
Mirëpo, sipas logjikës së ‘akuzimit në pasqyrë’, që shpjegon qëllimet e fshehta të Serbisë, një mesazh i tillë sinjalizon afrimin shqetësues të rrezikut.
Një gazetar tingëllon më “neutral” në raste të tilla, pavarësisht se “harron” qëllimshëm që Kosova është një shtet sovran i konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ, Advisory Opinion, 22.07.2010), që Rezoluta 1244 është peng i rivaliteteve gjeopolitike në Këshillin e Sigurimit, e cila shfrytëzohet nga Serbia si vegël për ta mbajtur “hapur” çështjen në OKB (Asllani, 2025) dhe që FSK-ja është një ushtri me standarde të NATO-s, faktor i vlerësuar i paqes përkrah aleatëve në misione ndërkombëtare dhe e furnizuar po ashtu nga SHBA-ja (Evropa e Lirë, 14.05.2026).
Mirëpo, roli i SHBA-së për “militarizimin” nuk përmendet askund në këtë “analizë”. Sepse, komunikimi strategjik i Serbisë ka projektuar edhe një dimension tjetër përmes Turqisë dhe presidentit Erdogan: nëntekstin e “rrezikut islamik” si një element për nxitjen emocionale dhe fetare.
Megjithatë, konkluzioni i Spaloviqit se “Kosova po e pret sinjalin”, është thjesht skalitje e fokusuar e narrativës së përsëritur të Vuçiqit, se “ata po e presin momentin e favorshëm” (B92, 12.03.2026).
Është një “gazetar” që godet në skajin tjetër të NATO-s, pas goditjes në bërthamë me fabrikimet e djeshme në emër të ish-ambasadorit amerikan në Serbi, William Montgomery.