Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Arben Fetoshi në “ARB Debat” thotë se rikthimi i çështjes së Kosovës në vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë është jetik

Arben Fetoshi në “ARB Debat” thotë se rikthimi i çështjes së Kosovës në vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë është jetik

Në një paraqitje në emisionin politik “ARB Debat”, drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, foli për rëndësinë e qëndrimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Fetoshi: Trump po e thekson nevojën për marrëveshje që eliminon kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës

“Presidenti Trump tani po na e thotë një gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën, po thotë në mënyrë të përsëritur nevojën që Serbia të detyrohet për një marrëveshje e cila duhet t’i eliminojë të gjitha kërcënimet në kuptimin e një politike agresive dhe shoviniste kundrejt Kosovës, e cila s’është e kohëve të fundit, është që nga përfundimi i luftës më 1999”

Fetoshi theksoi gjithashtu rëndësinë e rikthimit të çështjes së sigurisë në rajon në agjendën e SHBA-ve:

“Ajo çka është shumë e rëndësishme është rikthimi në vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit Trump i një problemi serioz që ndërlidhet me raportet tona me Serbinë.”

“I një problemi serioz të sigurisë, duke pas parasysh marrëdhënien e Serbisë me Rusinë, duke e pas parasysh angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë si një ambasadore e interesave ruse në Ballkan dhe duke pas parasysh paqen e paqëndrueshme dhe apetitet e vazhdueshme të Serbisë për agresion kundër Kosovës”

Duke kujtuar ngjarjet në Banjskë më 2023, Fetoshi përshkroi përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës:

“Në mënyrë të vazhdueshme Serbia ka dhënë shenja të qarta të angazhimit të saj që në qoftë se do t’i jepej një moment i volitshëm, të ndërmarrë veprime, siç ka provuar me Banjskën në vitin 2023.”

“Që do të thotë, që në kontekstin e operacioneve hibride ku më së shumti i kanë dhënë prioritet luftës informative, strategjive të manipulimit të opinionit, përpjekjeve të vazhdueshme që ta pengojnë me çdo kusht integrimin e qytetarëve serbë në Republikën e Kosovës – krejt këto kanë qenë brenda një strategjie të Serbisë për të rikthyer përfitimin politik në kurriz të sovranitetit të Kosovës dhe këtë më së shumti në vitet e fundit e kemi parë në pjesën veriore të vendit”

Fetoshi: Serbia i mban të njëjtat qëndrime, por kanë ndryshuar taktikat dhe metodat për ta mbajtur jostabile Kosovën

Fetoshi ka potencuar se Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës.

“Pra, përpjekja që me çdo kusht t’i mbajë strukturat paralele, përpjekja që të qeverisë përmes bandave atje, përpjekja që t’i braktisë institucionet e Kosovës dhe ta minojë rendin kushtetues të Kosovës në katër komunat veriore – nënkupton një strategji të re. I mban të njëjtat qëndrime, por kanë ndryshuar taktikat dhe metodat për ta mbajtur jostabile Kosovën, për ta minuar rendin kushtetues të Kosovës, për ta delegjitimuar Kosovën në planin ndërkombëtar dhe për t’i krijuar kështu hapësirë rikthimit të influencës ruse në rajonin tonë”, ka thënë Fetoshi në ARB Debat.